Ky është Flamur Karaj, oficeri i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, i cili dy ditë më parë plagosi me armën e shërbimit kushëririn e tij Enver Karaj. Atij i është caktuar masa e sigurisë arrest me burg nga gjykata. 58-vjeçari ka pranuar autorësinë e krimit, por ka sqaruar se ka qenë i detyruar të përdorë armën për shkak se i afërmi i tij e kishte ofenduar dhe qëlluar me dërrasë.

Sipas tij, sherri ka nisur për motive banale, pasi kanë qenë duke konsumuar alkool. Sipas Karajt, kushëriri e ka ofenduar dhe më pas janë konfliktuar fizikisht. Ngjarja e rëndë ndodhi dy ditë më parë në fshatin Dorëz në Tiranë, aty ku banojnë të dy kushërinjtë.

Autori i shoqëruar nga bashkëshortja e tij u vetëdorëzua menjëherë pas plagosje në Komisariatin e Numër 6. Grupi hetimor ka qenë në Spitalin e Traumës për të marrë dëshminë e të plagosurit, por kjo ka qenë e pamundur për shkak të gjendjes shëndetësore.

Enver Karaj ka marrë një plumb në nofull dhe është e pamundur që për momentin të japë versionin e tij të ngjarjes. Ndonëse oficeri i FNSH-së pretendon se konflikti ishte banal, grupi hetimor ka dyshime se shkak janë bërë çështjet e pronësisë.

Tv Klan