U akuzuan se do sulmonin ndeshjen Shqipëri-Izrael

U arrestuan me shumë bujë në vitin 2016, por tani gjykata thotë se as që kishin planifikuar ndonjë akt terrorist. Bëhet fjalë për shtetasit B.P., E.F., Xh.F. dhe M.H.

Kur u arrestuan, prokuroria dhe policia thanë se kishin prova që ata ishin te lidhur me “ISIS” dhe po planifikonin një sulm terrorist për ndeshjen Shqipëri-Izrael, që do të luhej në Shkodër. Për këtë arsye ndeshja u transferua në Elbasan dhe masat qenë  tepër të forta.

Por sipas Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, policia dhe prokuroria s’kanë pasur asnjë nga provat e pretenduara dhe për të cilat 4 të dyshuarit qëndruan të arrestuar për më shumë se 3 vjet.

Në fakt kërkesa u bë nga vetë SPAK për pushimin e çështjes.

B.P., E.F., Xh.F. dhe M.H. u akuzuan për “Vepra me qëllime terroriste”, “Kanosje për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe për pjesëmarrje në “Organizatë Terroriste”.

Ata u kapën bashkë me disa shtetas nga Kosova, nën dyshimin se kishin lidhje me xhihadistin Lavdrim Muhaxheri, që mbeti më vonë i vrarë në Siri dhe disa radikale të lidhur me Shtetin Islamik, që jetonin në Maqedoninë e Veriut.

Tv Klan