Mbështetje për Thaçin: Sakrificë për të siguruar frytet e pavarësisë

Premtimin që ia bëri kryeministrit Hoti në Tiranë, Lulzim Basha e përmendi edhe në Prishtinë, në vizitën e tij zyrtare si kryetar i Partisë Demokratike.

“Një ndër vendimet e para të mia si kryeministër i dalë nga zgjedhjet e ardhshme do të jetë heqja e taksës dhe traut në Rrugën e Kombit. Ky ka qenë një vendim i padrejtë që rëndon ekonominë e Kosovës dhe Shqipërisë si dhe pamundëson eksportin dhe importin e mallrave”.

Bashës iu desh të saktësojë në konferencën për shtyp me Kryeministrin Hoti, se vizita e tij nuk ka lidhje me çështjen e nxehtë që po përjeton Kosova, atë të ngritjes së akuzave të pakonfirmuara të Prokurorisë Speciale ndaj presidentit Thaçi.

“Vizita ime është paksa e vonuar. Natyrisht ndodh në një moment zhvillimesh në Kosovë, ku përfshihen zhvillimet që ju përmendni, por jam këtu pas një ftese të kryeministrit Hoti pas vizitës së tij në Tiranë, dhe një ftese të përsëritur po kështu të autoriteteve të tjera të Kosovës, duke përfshirë këtu Presidentin Hashim Thaçit, kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani dhe krerët e partive politike në Kosovë”.

Në takim u bisedua për dialogun dhe për situatën e Covid, ku Basha e mbajti edhe gjate konferencës një maske që kishte zgjedhur për rastin, me flamurin e Shqipërisë dhe Kosovës.

“Patëm një takim shumë të shtrenjtë dhe ndamë me të shqetësimet tona edhe për menaxhimin të situatës me Covid, edhe për Çështjet e rimëkëmbjes ekonomike – dy prioritete tona kryesore si qeveri. Biseduam edhe për proceset e rëndësisë nacionale, siç është procesi i dialogut dhe proceset e tjera, të cilët po kalojmë si klasë politike në Kosovë dhe ndamë ato shqetësime për këto procese”.

Për dialogun, Basha tha në Prishtinë se përfundimi i tyre i vetëm është njohja reciproke.

“Për bisedimet me Serbinë, ju shpreh mbështetjen e plotë timen, PD-së dhe opozitës së bashkuar në këtë përqasje parimore që ka dhe mund të ketë vetëm një përfundim njohjen reciproke mes Kosovës e Serbisë”.

Kjo temë dominoi edhe takimin me Presidentin Thaçi, me të cilin Basha preku edhe çështjen e akuzave, duke shprehur mbështetjen për kreun e shtetit.

“Kam theksuar bindjen se bashkërendimi i ngushtë midis SHBA dhe BE ka qenë dhe mbetet një parakusht për suksesin e çdo iniciative për stabilizim për të gjithë vendet e rajonit, në veçanti sa i përket dialogut. Shpreha mbështetjen totale timen dhe të PD e opozitës së bashkuar, në veçanti për ata që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës dhe që u duhet të sakrifikojnë në plan personal për të siguruar vazhdimësinë frytet e pavarësisë dhe të lirisë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Në veçanti për Presidentin Thaçi dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij”.

Në Kosovë, kryetari i Partisë Demokratike u takua edhe me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryeparlamentaren Vjosa Osmani, e cila vlerësoi qëndrimin e Bashës për çështjen e kufirit me Serbinë dhe nënvizojë rëndësinë e bashkërendimit të veprimeve mes dy vendeve në politikën e jashtme.

“Falenderova zotin Basha për zërin e çmuar tijin dhe të PD kundër ideve dhe aventurave të rrezikshme për ndryshim kufijsh. Është tejet e nevojshme që çdokush në Shqipëri të flasë më zë po kaq të qartë sa të Bashës”. Basha u takua edhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-kryeministrin Haradinaj, kryetarin e partisë Nisma, Fatmir Limajn dhe drejtues të Lidhjes Demokratike dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Tv Klan