Prokuroria Speciale po e trajton si sulm terrorist dhe kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, por jo edhe për vrasje të rëndë. Mes juristëve kosovarë ka dilema nëse terroristët në krye me Milan Radojiçiçin mund të gjykohen në mungesë nëse nuk është e përfshirë edhe vepra penale “vrasje e rëndë”.

Ardian Bajraktari, avokat: Prokuroria Speciale duhet të bëjë rishikim të këtyre veprave me qëllim të përfshirjes edhe të veprës penale të vrasjes së rëndë për faktin se në rastin tragjik ka ndodhur humbja e jetës së një efektivi të Policisë së Kosovës, tashmë hero, rreshteri Afrim Bunjaku. Në rrjedhë të kësaj, sipas Kodit Penal njëra prej rrethanave ku kemi të bëjmë me vrasje të rëndë është momenti kur personi bie në krye të detyrës zyrtare.

Juristet këshillojnë Prokurorinë Speciale se duhet të bëjë rikualifikim dhe përfshirje edhe të veprës penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, pasi përmbushen kushtet që të mundësohet gjykimi në mungesë.

Tomë Gashi, jurist: Sa unë e di ende nuk akuzohet askush prej tyre për veprime terroriste që janë kryer në Banjskë më 24 Shtator të vitit të kaluar. Por ajo që është normale dhe Prokuroria Speciale po bën është hetimi. A ka mundësi të zhvillohet edhe gjykimi në mungesë? Ne nuk kemi ndonjë interes për këtë. Duke e ditur që fatkeqësisht është vrarë polici jonë, nuk ka mundësi tjetër veçse të hetohen dhe në të ardhmen të akuzohen të gjithë përgjegjësit me në krye Milan Radojiçiç, edhe për vrasje të rëndë apo terrorizëm. Akte që kanë rrezikuar shtetin tonë dhe këto akte penale nuk e eliminojnë njëra-tjetrën.

Gashi thotë se vrasje e rëndë është në këtë dosje pasi aktet terroriste dhe vrasja e rëndë nuk e eliminojnë njëra-tjetrën. Ai thotë se edhe faktori ndërkombëtar po kërkon që autorët e këtij sulmi terrorist të dalin para drejtësisë, por Kosova si shtet nuk ka ndonjë interes që gjykimi të bëhet në mungesë.

Klan News