Bota është në një situatë turbullirash ku po përballet me luftëra në Lindjen e Mesme, Ukrainë dhe Afrikë ndërsa miliona njerëz vuajnë nga kequshqyerja dhe sëmundjet. Nevoja për të menduar një zgjidhje për të ardhmen e planetit dhe hapat  që duhet të ndërmarrim për ta mbrojtur atë dhe brezat e ardhshme është më urgjente se kurrë.

22 Prilli shënon Ditën e Tokës,  një thirrje globale për mbrojtjen e mjedisit. Tema e këtij viti është “Planeti vs. Plastika” dhe organizatorët kërkojnë “reduktim me 60% të prodhimit të të gjitha lëndëve plastike deri në 2040”.

Për këtë rast, Google ia ka dedikuar logon e saj Ditë së Tokës duke i shndërruar shkronjat në 6 foto të shkrepura nga lart. Motori i kërkimit thotë se këto imazhe “shfaqin disa nga vendet e globit ku njerëzit, komunitetet dhe qeveritë punojnë çdo ditë për të ndihmuar në mbrojtjen e bukurisë natyrore të planetit, biodiversitetit dhe burimeve”.

Zbuloni ç’kuptim ka secila prej fotove të mëposhtme sipas Google:

G: Ishujt Turks & Caicos

“Ishujt janë shtëpia e zonave të rëndësishme të biodiversitetit ku përpjekjet për ruajtjen janë drejtuar në adresimin e sfidave mjedisore, përfshirë mbrojtjen e burimeve natyrore, shkëmbinjve koralë dhe ruajtjen e specieve në rrezik zhdukjeje si iguana e shkëmbinjve”.

O: Parku Kombëtar Koralor Scorpion, Meksikë

“I njohur edhe si Arrecife de Alacranes, ky është shkëmbi më i madh koralor në  Gjirin e Meksikës dhe rezervë e biosferës së UNESCO-s. Zona e mbrojtur ujore është një hapësirë për speciet komplekse të koraleve, zogjve dhe breshkave ujore të rrezikuara nga zhdukja”.

O: Parku Kombëtar Vatnajökull, Islandë

“I njohur si Park Kombëtar në 2008, ky vend i Trashëgimisë Botërore së UNESCO-s mbron ekosistemin brenda dhe rreth akullnajës më të madhe të Europës. Përzierja e vullkaneve dhe akullnajave prodhon peizazhe dhe bimë të rralla”.

G: Parku Kombëtar Jaú, Brazil

“Kjo është një nga rezervat më të mëdha të pyjeve në Amerikën Jugore dhe Trashëgimi Botërore e UNESCO-s. I vendosur në zemër të pyllit të Amazonës, mbron një varietet të madh speciesh si macja e egër, xhaguari, vidra gjigante dhe lopa amazoniane e detit”.

L: Muri i Madh i Gjelbër, Nigeri

“E nisur në 2007, kjo iniciativë po pyllëzon tokën përgjatë Afrikës duke mbjellë pemë dhe bimë ndërthurur kjo me praktikat mjedisore të menaxhimit të tokës. Gjithashtu ndihmon popujt dhe komunitetet e zonës me ekonominë, sigurinë ushqimore dhe rezistencën ndaj klimës.

E: Rezervat natyrore të Ishujve Pilbara, Australi

“Një nga 20 rezervat natyrore në Australi që ndihmon në ruajtjen e ekosistemeve të brishta duke rritur numrin e habitateve të rralla natyrore dhe specieve të rrezikuara silloje të ndryshme breshkash detare dhe shpendësh ujorë”.

Google shprehet se këto shembuj janë premisë shprese dhe optimizmi, por na kujtojnë se ka shumë për të bërë për krizën klimatike dhe humbjen e biodiversitetit./tvklan.al