Qeveria greke ka zbutur qëndrimin ndaj Shqipërisë përsa i përket procesit të anëtërësimit të vendit në Bashkimin Europian. Media e Athinës “Antinews” në shkrimin me titull “Sërish, Mitsotakis mbështet Shqipërinë”, njoftoi se Greqia ka rënë dakord të nisë procesin për nënshkrimin e Marrëveshjes së Mbrojtjes dhe Sigurisë ndërmjet BE-së dhe Tiranës bazuar në projekt-marrëveshjet specifike me Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate të Ballkanit Perëndimor.

“Qeveria greke, pavarësisht deklaratave publike të një qëndrimi të palëkundur ndaj kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe mes thashethemeve për përfshirjen e kryetarit të Bashkisë së Himarrës Fredi Beleris në listën për kandidatët e Demokracisë së Re për PE, ra dakord të nisë procesin për nënshkrimin e Marrëveshjes së Mbrojtjes dhe Sigurisë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë.”

Sipas burimeve të besueshme të Antinews, tekstet fillestare përfshijnë veçanërisht Shqipërinë në objektivat më të gjera të “Busullës Strategjike” të BE-së.

“Veçanërisht i rëndësishëm është edhe suksesi i Shqipërisë në nisjen e bashkëpunimit në çështjet e mbrojtjes kibernetike dhe përballjes së kërcënimeve hibride, pasi këto janë fusha me një marrëdhënie të privilegjuar të Tiranës, deri tani, vetëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por zoti Rama arrin të diskutojë të njëjtat çështje dhe të pranohet nga të dyja anët e Atlantikut.”

Kjo media thekson se në fazën fillestare të krizës për shkak të Belerit, qeveria greke kërkoi një ndërhyrje amerikane dhe u konstatua se kryeministri shqiptar kishte forcuar pozicionin e tij në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit.

Kjo media e mbyll shkrimin e saj duke thënë se është hequr dorë nga paralajmërimi grek i përsëritur muaj më parë- se “kjo është një çështje serioze që mund të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe dhe në kursin europian të Tiranës”. Tani vetëm thuhet se Shqipëria duhet të respektojë parimet e shtetit ligjor gjatë gjykimit të z. Beleri në shkallë të dytë.

Klan News