I ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ka qenë make-up artisti Arbër Bytyqi i cili ka folur për profesionin e vet, bashkëpunimin me VIP-a dhe projektet që ka realizuar me Dafina Zeqirin. Ai ka treguar më shumë për këngëtaren duke treguar shijet e saj për grimin.

Rudina Magjistari: Pse të zgjedhin VIP-at ty, çfarë gjejnë tek puna jote apo tek mënyra se si punon?

Arbër Bytyqi: Kanë arritur të gjithë në një pikë që të më besojnë. Jo vetëm në aspekt të make-up por edhe në përgjithësi sa i përket modës, veshjes, stilimit të flokut. Janë krijuar edhe raporte shoqërore, por normal që është edhe eksperienca që arrin pas disa viteve punë së bashku dhe normal që ndihen më rehat.

Rudina Magjistari: Dua të veçoj Dafina Zeqirin me videoklipin e saj të vitit të kaluar në të cilin ti ke realizuar 5 pamje të ndryshme të saj. Më trego pak, çfarë të inspiroi për të realizuar këto të 5-ta dhe pse erdhi në këtë formë?

Arbër Bytyqi: Qëllimi ka qenë të paraqit Dafinën në 5 forma të ndryshme, me 5 Dafina të ndryshme. Në përgjithësi grimet kanë qenë pak më shumë eksperimentale, pra kemi shkuar në kombinim me paruket, me lentet, me flokë. Idea është vendosur paraprakisht dhe realizimi ka qenë për një ditë e gjysmë, kemi xhiruar. Kështu ka qenë një sfidë më vete sepse ka qenë bashkëpunimi im i parë.

Rudina Magjistari: Pra për një ditë e gjysmë ti ke realizuar 5 lloje grimi dhe ndërkohë dhe xhirimet?

Arbër Bytyqi: Po, kemi punuar pa ndalur dhe ia kemi arritur qëllimit.

Rudina Magjistari: Na trego ndonjë sekret për Dafina Zeqirin, në çështje me make-up, diçka që nuk e dimë.

Arbër Bytyqi: Dafina Zeqiri është një artiste e vërtetë, eksploron me pamjen. Çfarë do që vendos për make-up nuk kundërshton asnjëherë, është për të ndryshuar dhe për t’u dukur ndryshe. Në jetën e përditshme nuk grimohet fare, e ka fytyrën shumë të pastër dhe nuk vendos fare make-up. Vetëm kur del në skenë./tvklan.al