Partia Demokratike ka mbledhur pasdite e sotme drejtuesit e departamenteve të kësaj force politike. Edhe pse në arrest shtëpie, ish-kryeministri Sali Berisha ju është drejtuar të pranishmëve përmes një video-mesazhi.

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka thënë se opozita numëron një seri fitoresh në betejën që nga viti 2021. Më tej, Berisha ka shtuar se këto arritje në PD nuk janë fitorja e luftës teksa ka shtuar se është synuar që opozita të ishte në kontroll të kryeministrit Rama.

Sali Berisha: Sot të gjitha pushtetet janë të përqendruara në duart e një njeriu. Sot rotacioni politik de fakto është i bllokuar. Mekanizmat që ka krijuar narkoshteti, e ka shndërruar rotacionin në një horizont që largohet. Por ka dhe një realitet tjetër, i cili duhet të bëjë optimist çdo shqiptar. Në këtë betejë të egër, nga 2021 e deri më sot për një Shqipëri pa opozitë, apo për një opozitë në këmbët e Edi Ramës, nuk u përdorën vetëm të gjithë potencialet e qeverisë mafioze, por edhe mafia ndërkombëtare, në këtë betejë e vërteta është që ne numërojmë sot një seri fitoresh të cilat nuk janë fitorja e luftës, jo. Ne jemi në mes të luftës, por ama u synua të mos ishim, u synua të ishim në kontroll të plotë të Edi Ramës. U synua që Sali Berisha të arkivohej me një akuzë pa asnjë bazë, por vetëm për të zhdukur një zë, që luftonte me të gjithë mundësitë e tij korrupsionin dhe krimin në këtë vend. Mirëpo të gjitha këto dështuan. Korrëm një fitore. U bë gjithçka që ta copëzojnë PD. Dështuan, korrëm një fitore tjetër. U bë gjithçka që të mos kishte parlament pluralist. De fakto me të drejtat që ju mohuan opozitës, parlamenti nuk ishte më pluralist, por luftuam, bëmë betejë, e fituam.

Kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se nuk mund të lejohen ata që i quan “grusht hajdutësh” që të privatizojnë Bashkinë e Tiranës teksa shton se janë të kyçur në këtë betejë që beson se do ta fitojnë.

Sali Berisha: Ndodhemi në një betejë të re. Nuk ka qytetar në këtë planet, që i thotë vetes njeri i qytetëruar që të mund të pranojë që një grusht hajdutësh të zhveshur nga çdo moral, të privatizojnë bashkinë e kryeqytetit, ta shndërrojnë atë në një organizatë private kriminale. Ndaj dhe ne jemi të kyçur në këtë betejë, do ta fitojmë. Ne do të fitojmë dhe luftën sepse kauza jonë është e drejtë. Këtu ftoj intelektualët që të përdorin të gjithë potencialin e tyre për të mbrojtur kauzat e drejta, në mënyrë që të shpëtojmë Shqipërinë dhe shqiptarët nga jo shfarosje e butë që nuk e kanë njohur kurrë të tillë në histori.

/tvklan.al