Qeveria shqiptare ka hapur thirrjen e katërt për programin IPARD II, të financuar nga Bashkimi Europian, dhe që ka në fokus mbështetjen e turizmit rural, industrinë e artizanatit dhe manifakturën. Vetë kryeministri Edi Rama ju bëri thirrje fermerëve të aplikojnë deri ne 25 Shkurt për të përfituar nga grantet, duke e konsideruar agroturizmin si një potencial të madh të Shqipërisë.

“Sot shembujt e suksesit, qoftë në agroturizëm, por qoftë edhe në tërësi në zhvillimin rural, flasin për një fakt të pakundërshtueshëm. Kjo është arsyeja pse ne jemi bashkuar në këtë përpjekje me Bashkimin Europian, i cili jep pjesën më të madhe të financimit, ndërkohë që ne japim 1/4 e këtij financimi për të gjithë ata që prezantojnë projektet e tyre”.

Përmes aplikimeve të mëparshme, janë përdorur 8 milionë Euro mbështetje në grante për 49 njësi të turizmit lokal në vend.

“Eksperienca jonë e viteve të mëparshme tregoi se 1 njësi e suksesshme e turizmit rural, dhe e mbështetur në zonën kur është vendosur, mund të shërbeje si katalizator zhvillimi për mbi 100 fermerë, duke ju ofruar treg për produktet e tyre bujqësore dhe blegtorale”, tha ministrja Frida Krifca.

“Sektori i bujqësisë përben 20% të PBB së Shqipërisë. Kjo është arsyeja se përse në 10 vitet e fundit BE-ja e ka mbështetur me 100 milionë Euro modernizimin e bujqësisë shqiptare, përfshire edhe 71 milionë Euro për IPARDIN”, tha ambasadori Soreca.

Buxheti i alokuar nga kjo thirrje e katërt për aplikim ne IPARD II është 5,2 milionë euro, i bashkëfinancuar në 75 % nga fondet e BE dhe 25 % kontribut i buxhetit të shtetit.

Tv Klan