Ramush Haradinaj është skeptik se Presidenti Hashim Thaçi mund ta përfaqësojë denjësisht Kosovën sa i përket marrëveshjeve kufitare dhe rishikimit të territorit. Në një dalje për gazetarët në Prishtinë pas mbledhjes së qeverisë, Kryeministri i Kosovës tha se Thaçi nuk e ka besimin e tij për të përfaqësuar Kosovën në dialog ndërkombëtar për këto çështje.

“Janë dy etapa, njëra është dhënia e besimit te Presidenti i vendit për të  përfaqësuar vendin në një proces për marrjen e njohjes së vendit për të cilën ka besimin tim, në tema të kufijve dhe territoreve nuk e ka këtë besim dhe nuk kuptova se si jam hisedarë e një teme të tillë. Nëse Presidenti e shtron një temë të tillë, nuk e ka shtruar në emrin tim, as grupit parlamentar, as partisë që përfaqësoj”.

Presidenti Thaçi ende nuk ka reaguar për deklaratën e Kryeministrit. Marrëdhëniet mes të dyve asnjëherë nuk kanë qenë të ngrohta, por nga ana tjetër kanë qenë korrekte dhe institucionale.

Në Shtator, Kosova rinisi fazën delikate të dialogut me Serbinë për finalizimin e marrëveshjes për njohje, ku pikat më të nxehta pritet të jenë rishikimi i 400 kilometrave kufi dhe njohja reciproke mes vendeve.

Tv Klan