Autoritetet belge kërkojnë të dhëna nga Policia Shqiptare

Autoritetet belge janë duke hetuar lidhur me vrasjen e shqiptarit Bledar Muça. Për këtë arsye, policia belge i ka kërkuar informacion palës shqiptare lidhur me veprimtarinë e tij, apo skedën e viktimës në vendin tonë.

Hetuesit belg kërkojnë të dinë historikun e ngjarjeve apo problematikave që Muça ka patur në vendin Shqipëri. Pas vrasjes së Bledar Muçës në Belgjikë, mësohet se policia e Elbasanit ka kaluar në filtër disa persona, me të cilët viktima ka patur konflikte ndër vite.

Identifikimi i 39-vjeçarit ishte i vështirë, për shkak se iu gjetën me vete dy karta identiteti, bullgare dhe britanike. Hetuesit arritën të zbulojnë identitetin e saktë nëpërmjet shenjave të gishtërinjve.

Sipas dëshmitarëve okular, Muça, u ekzekutua në momentin që po kthehej në banesën e tij në qendër të qytetit. 39-vjeçari u përball me një person të armatosur në momentin që doli nga makina, i cili e ekzekutoi me breshëri plumbash. 

“Ishte tamam si në filma, ai shkoi drejt tij dhe e qëlloi”, tha një fqinj për mediat vendase. Sipas një dëshmitari tjetër, vrasësi qëlloi pesë ose gjashtë të shtëna me shpejtësi, dhe më pas u largua me një makinë me ngjyrë të errët me targa të verdha holandeze ose të Luksemburgut.

Bledar Muça është një emër i njohur edhe për policinë shqiptare, pasi është përfshirë në disa ngjarje kriminale ne qytetin e Elbasanit. 39-vjeçari i ka shpëtuar dy atentateve te organizuara ndaj tij.

Muça mbeti i plagosur në atentatin e Shkurtit të vitit 2016, ndërsa u tentua të eliminohet edhe në muajin qershor, po në të njëjtin vit. Ai njihej si bashkëpunëtor i vëllezërve Çapja.

Tv Klan