43-vjeçari u ekzekutua nga dy persona para pallatit sapo ndaloi makinën

Vritet me armë zjarri në Belgjikë Bledar Muça. 43-vjeçari është ekzekutuar në makinën e tij para pallatit ku banonte. Të paktën dy persona dyshohet se kanë marrë pjesë në atentat.

Ata ishin në pritje të mbërritjes se tij pranë apartamentit dhe qëlluan në drejtim të automjetit të 43-vjeçarit sapo makina ndaloi. Ngjarja ka ndodhur të shtunën rreth orës 23.00 në rrugë Aartselaar në provincën Antwerp në Belgjikë.

Hetuesit atje dyshojnë për një vrasje me porosi ndërsa nga hetimet kanë zbuluar se Muça kishte një pasaportë bullgare. U desh identifikimi me anë të shenjave të gishtave për të konfirmuar identitetin e plotë të viktimës.

Bledar Muça është një emër i njohur për policinë pasi është përfshirë në disa ngjarje kriminale në qytetin e Elbasanit ndërsa i ka shpëtuar disa herë atentateve të organizuara ndaj tij.

Klan News