Opozita e Kosovës pret ftesë nga qeveria për të diskutuar

Ish-Kryeministri Avdullah Hoti i është kundërpërgjigjur Kryeministrit aktual Albin Kurti lidhur me procesin e dialogut pasi ky i fundit ka deklaruar se më shumë ka kuptuar për procesin në Bruksel se sa që ka gjetur dokumente në Prishtinë.

Hoti në rrjetin social Facebook ka shkruar se qeveria e tij ka përgatitur dokumentin “Pozicioni i Republikës së Kosovës për dialog me Serbinë”, i cili është prezantuar në Kuvend dhe është diskutuar me shoqërinë civile.

Deputeti i LDK-së ka thënë po ashtu se të gjitha dokumentet ia ka dorëzuar Kurtit me rastin e pranim-dorëzimit të detyrës.

“Kryeministri aktual ka pranuar te gjitha  informatat për  te gjitha zhvillimet në procesin e dialogut. Unë mbetem i hapur dhe i gatshëm për çdo informatë për këtë proces gjatë kohës sa kam shërbyer si kryeministër i vendit”, ka shkruar Hoti.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe ish-zëvendësi i Hotit, Besnik Tahiri.

“Kjo është deklaratë e papërgjegjshme e z.Kurti. Ai e ka dokumentin e hartuar në detaje, e ka raportin e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve vetëm duhet ta kërkojë atë”.

Opozita thotë se deri më tani nuk kanë marr ndonjë ftesë nga Kryeministri Albin Kurti për t’u konsultuar për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Ne nuk kemi pranuar ende asnjë ftesë nga z.Kurti. Mendoj që z.Kurti në rast se do ta kishte seriozisht konsultimin me opozitën për këtë çështje do të duhej që ta bënte para se të udhëtonte në Bruksel. Vizita e tij në Bruksel i ka shërbyer kryekëput fillimit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

“Sa i përket deklaratave nga Brukseli janë të parakohshme që t’i komentojmë, në këtë situatë e rëndësishme është që ka sistem, i cili e obligon që ai nga kthimi i tij të raportoj në Kuvend. Kjo ka qenë kërkesë e VV-së me një rezolutë.Ai ka shkuar në Bruksel pa e pyet Kuvendin, e tash kur të kthehet duhet të raportoj në Kuvend dhe në vendin të tij”.

Kryeministri Kurti nga dita e martë ka qëndruar në Bruksel ku ka zhvilluar takime të shumta. I ka thënë jo takimit të 11 Majit Kurti-Vuçiç, ndërsa ka paralajmëruar se në Qershor mund të rifillojë dialogu Prishtinë-Begrad.

Tv Klan