Ushqimet vijojnë të shtrenjtohen, por edhe argëtimi

Rritja e çmimeve është ngadalësuar ndjeshëm gjatë vitit 2024. Pas Janarit që inflacioni arriti në 3.4%, INSTAT raporton se për muajin Shkurt inflacioni ka bërë tkurrje më të madhe, duke zbritur në 2.6%. 

Ulja e inflacionit ka tejkaluar edhe objektivat e Bankës së Shqipërisë e cila synon mbajtjen e inflaciont në nivelin 3%.  Ky është niveli më i ulët, që nga tetori 2021, përpara se të fillonte një valë rritje çmimesh, fillimisht si rrjedhojë e problemeve në furnizim që krijoi pandemia dhe më pas nga çrregullimet e tregjeve si rrjedhojë e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, ku vlera maksimale arrit në mbi 8% gjatë vitit 2022.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin Shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”,  grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” si dhe “argëtim dhe kulturë”.

Krahasuar me muajin Shkurt 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 4,9 %, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 4,7 %, ndërsa grupi  “Ushqime dhe pije joalkoolike” ka pësuar rritje me 2,7 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 4,7 %, pasuar nga nëngrupet “zarzavate” me 4,6 %, “mish” dhe “peshk” janë rritur me 4,2 % secili.

Klan News