Inter siguroi matematikisht titullin kampion në Itali falë fitores 2 – 1 në derbin me Milan. Zikaltërit që u shfaqën më konkretë para portës kundërshtare tani janë 17 pikë larg rivalit të përjetshëm kur kanë mbetur edhe 5 javë deri në fund, duke festuar kështu Scudetto për herë të 20 në historinë e klubit dhe vendosur yllin e dytë në fanellë.

Një ndeshje emocionuese ajo e zhvilluar të hënën në “San Siro” ku pritës ishte Milan, por nuk mungonin edhe tifozë të shumtë të Inter. Sfida u zhbllokua në minutën e 18’ falë golit të Francesco Acerbi, i cili u la i pambuluar nga mbrojtja kundërshtare. Në fillimin e pjesës së dytë zikaltërit realizuan sërish me Thuram. Goditja në hyrje të zonës shkoi në cepin e poshtëm të portës së Maignan.

Përpjekjet e Milan që u mundua t’i prishte festën Inter sollën vetëm një gol me autor Tomori. Në fund nervozizmi bëri që arbitri të akordonte 3 kartonë të kuq, 2 për Milan dhe 1 për Inter.  Një sukses i zikaltërve, por edhe i shqiptarit Kristjan Asllani, i cili festoi titullin e parë kampion në Serie A.

Tv Klan