Rreziku që Izraeli të përfshihet në një luftë me fqinjët në Lindjen e Mesme po arrin kulmin për të parën herë në 5 dekada. Në kulmin e këtyre tensioneve mes dy shteteve, komandot e marinës iraniane kanë konfiskuar një anije me kontejnerë që i përkiste një miliarderit izraelit.

Sipas mediave izraelite, anija e konfiskuar në ngushticën e Hormuzit ishte ‘MSC Aries’, e cila mban flamurin portugez dhe i përket kompanisë së transportit ‘Zodiac Maritime’ në pronësi të miliarderit izraelit, Eyal Ofer.

Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se si Izraeli ashtu edhe Irani po përgatiten ushtarakisht për t’u përballur me njëri-tjetrin, pasi Teherani ka gati hakmarrjen për sulmin e 2 Prillit, që Izraeli kreu ndaj kompleksit diplomatik iranian në Damask.  

CNN citon burime pranë Ushtrisë Amerikane që konstatojnë lëvizje të shumta të trupave ushtarake iraniane pranë kufijve të këtij vendi, përfshirë dronët dhe raketat me rreze të largët veprimi. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari tha se janë në gatishmëri të plotë dhe se Irani do të vuajë pasojat nëse e përshkallëzon më tej situatën.

Sakaq edhe Shtetet e Bashkuara po përgatisin forcat që kanë në rajon. Siç shkruan e përditshmja Wall Street Journal, luftanijet amerikane kanë marrë urdhër të jenë të gatshme të t’iu kundërpërgjigjur çdo sulmi të mundshëm iranian ndaj Izraelit. Të premten, presidenti amerikan Joe Biden i bëri thirrje Iranit të mos ndërmarrë asnjë sulm, pasi në të kundërt Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë aleatin e tyre.

Tv Klan