Marrëveshja bërthamore iraniane është në prag të anulimit të plotë. Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Kamenei urdhëroi rinisjen e prodhimit të uraniumit të pasuruar. Para mijëra mbështetësve në Teheran, Kamenei kërkoi nga agjencia bërthamore iraniane të riverë në punë 190 mijë centrifugat që u çaktivizuan pas marrëveshjes me fuqitë e mëdha në 2015-ën.

Prodhimi i sasive të mëdha të uraniumit të pasuruar i jep mundësi Iranit të prodhojë edhe raketa bërthamore.

Vendimin, ai e paralajmëroi muajin e kaluar pas tërheqjes së Uashingtonit nga marrëveshja bërthamore. Në këmbim të vazhdimit të marrëveshjes me europianët, lideri iranian u bëri atyre thirrje që të mos kërkonin që Irani të ndalonte programin raketor dhe aktivitetet rajonale. Po ashtu të garantonin blerjen e naftës iraniane dhe transaksionet financiare të këtij vendi përmes bankave europiane.

Këto ishin edhe pikat që presidenti amerikan Donald Trump vuri si kushte për t’iu rikthyer marrëveshjes bërthamore më 9 maj kur vendosi tërheqjen prej saj dhe rikthimin e sanksioneve. Ndaj dhe Kamenei shprehu bindjen se europianët nuk do i përmbushin kërkesat e tij, pasi i tremben ashpërsimit të sanksioneve amerikane ndaj firmave europiane që bashkëpunojnë me Iranin.

Tv Klan