Italia ka hedhur pas krahëve fitoren me Shqipërinë. Në fokusin e kampionëve të Europës është tashmë sfida me Spanjën, tepër e rëndësishme për llogaritë e grupit B të kampionatit Europian.

Një 90 minutësh ku mund të vlej edhe një pikë për dy kombëtaret që të kualifikohen në raundin e 1/16-ave të kompeticionit. Trajneri i Axurrëve, Luçiano Spalletti pritet të bëj ndryshime në formacionin që u përdor kundër kuqezinjve.

Të paktën tre zëvendësime parashikohen nga mediat italiane, të cilat duket se do të prekin çdo sektor në fushë. Mançini shihet si më i përshtatshëm për t’iu përgjigjur karakteristikave të Alvaro Moratës, i cili duket se do e ketë sërish vendin në majën e sulmit të spanjollëve. Një tjetër ndryshim është Kristante.

Mesfushori i Romës mund të marrë vendin e njërit prej Fratezit ose Pelegrinit, pasi sjell më shumë muskuj për të përballuar sulmet dhe shkatërruar aksionet e kundërshtarëve. Së fundmi, Retegui mund të ul në stol Skamakën, me cilësitë e tij që pritet të krijojnë problematika për mbrojtjen iberike.

Sfida është në program për tu luajtur këtë të mërkurë në orën 21:00, me takimin që do keni mundësi ta ndiqni ekskluzivisht në TV Klan dhe Klan Radio.

Klan News