Kryeministri Rama ka publikuar në profilin e tij në “Facebook” shifrat e turistëve që kanë vizituar  sitet kulturore në vend ne periudhën janar-korrik 2024. Ne total sipas kryeministrit ato u vizituan nga 651 796 vizitorë, me një rritje prej 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga të dhënat e 7-mujorit të parë të këtij viti 23% e vizitorëve janë turistë të huaj. Në listën ku ai rendit edhe 5 destinacionet më të  preferuara të vizitorëve ndër sitet kulturore me më shumë interes kryeson Kalaja e Gjirokastrës me 120,723 vizitorë.

Lista vijon më pas me Muzeun “Gjergj Kastrioti”, Krujë me 90,955 vizitorë, Parkun Arkeologjik të Shkodrës me 85,806 vizitorë, Parkun Arkeologjik të Butrintit me 84,742 vizitorë dhe Parkun Arkeologjik të Apolonisë me 68,469 vizitorë.

Për 2024-ën, pritshmëritë e qeverisë janë më shumë se 10 milionë turistë. Sipas kreut të qeverisë, ambicia për vitin 2030 sa i takon turizmit është që Shqipëria të arrijë numrin e 20 mln turistëve si kampione në rajonin tonë. Ndërkaq Shqipëria mban vendin e parë të shteteve të Ballkanit në raportin e Komisionit Europian të Udhëtimeve për fluksin e turistëve në gjashtë muajt e parë të 2024.

Klan News