Pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që u miratua gjatë së hënës, e cila kërkonte armëpushim të menjëhershëm, luftime kanë vazhduar dhe gjatë natës në Gaza.

Sipas dëshmitarëve, qyteti i Rafahut u bombardua nga avionët luftarakë izraelitë gjatë natës, ndërsa beteja të ashpra me armë ndodhën rreth spitaleve në Khan Younis. Sirenat paralajmëruese të raketave u dëgjuan gjithashtu në qytetet izraelite pranë kufirit me Gazën.

Ditën e djeshme, SHBA abstenoi në një rezolutë që kërkonte një armëpushim të menjëhershëm për pjesën tjetër të muajit të Ramazanit dhe lirimin pa kushte të të gjithë pengjeve. 14 anëtarët e tjerë të këshillit, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, votuan pro, që do të thotë se rezoluta u miratua.

Pas votimit, Netanjahu kundërshtoi duke thënë se rezoluta nuk e kushtëzoi thirrjen për armëpushim me lirimin e pengjeve, siç kishin argumentuar SHBA-ja dhe Izraeli. Izraeli beson se Hamasi dhe aleatët e tij ende mbajnë rreth 130 pengje në Gaza, duke përfshirë 33 për të cilët pretendojnë se kanë vdekur./tvklan.al