Zikaltrit kanë arritur tre fitore të rëndësishme në 7 ditë, Atalanta i hap probleme Juves

Kjo ka qenë një javë perfekte për Interin! Në fillim fitorja kundër Napolit që u lejoi zikaltërve që t’i afrohen edhe më shumë kryesimit, pastaj sigurimi i kualifikimit në të gjashtëmbëdhjetat e Ligës së Kampioneve që mungonte prej 10 vitesh e në fund fitorja në shtëpinë e Venecias me rezultatin 2-0.

Skuadra e Inzagit shënon dhe më pas administron lojën, krijon raste dhe i lë pak hapësira kundërshtarit. Çalhanoglu shënoi golin e parë në minutën e 34 të lojës. Ndërsa Martinez vulosi fitoren në shtesë me një penallti.

Me tri pikët e marra, Interi kalon në vend të tretë me 31 pikë pas 14 takimesh, 3 më shumë se Atalanta e katërta, që mori një fitore të rëndësishme në Torino kundër Juventusit.

Bergamaskëve u mjaftoi një gol i Zapatas në minutën e 28 për të arritur triumfin pas një asisti të Xhimshitit. Mbrojtësi kuqezi ishte një ndër më të mirët në fushë kundër “Zonjës së Vjetër”.

Skuadra e Alegrit ka marrë 21 pikë në 12 ndeshje, nga këta 6 fitore dhe 3 barazime. Juvja është 7 pikë larg vendit të katërt. Nëse krahasohet me skuadrën e drejtuar nga Pirlo, bardhezinjtë kanë 7 pikë më pak se vjet, e 15 më pak kur drejtohej nga Sarri.

Për “Zonjën e Vjetër”, është humbja e dytë pas pokerit të pësuar nga Chelsea në Champions.