Abuzimi: Përmbaruesja ekzekuton vendimin e pronës pa ekspert

Një problem pronësie mes dy vëllezërve ka çuar në Lushnje emisionin “Stop” në Tv Klan. Pëllumb dhe Seit Zelo janë konfliktuar për pronën dhe situata është rënduar, kur përmbaruesja shtetërore, Luiza Gjergjova, ditën e ekzekutimit të ndarjes së pasurisë e ka bërë pa praninë e ekspertes, në shkelje të hapur të ligjit.

Çdo gjë nisi, kur 8 trashëgimtarët Zelo iu drejtuan gjykatës për ndarjen e pasurisë, që rridhte nga prindërit e tyre. Sipas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Vlorës, Pëllumb Zelos i takonin 422 m2 truall, ndërsa Seit Zelo kishte në pronësi 377 m2 truall.

Pëllumb Zelo tregoi mes lotëve se priste drejtësinë të shkonte në vend, por ndodhi e kundërta. Ai tha se nuk e quan atë proces për shkak se mungonte ekspertja për ndarjen e tokës.

Pëllumb Zelo: Unë nga drejtësia prisja që çdo gjë të vente në vend të vet, në rregull.

Është ekzekutuar një vendim nga Gjykata e Lushnjes për sa i përket metrave të tokës suaj.

Pëllumb Zelo: Kam 120 metra mangët. Muri që është ndërtuar aty është kundërvajtje i gjithi. Pavarësisht se mori lekë kryetarja e rajonit, bashkë me këtë Luiza Gjergjovën, e të gjithë këta.

Sot është prishur një pjesë e murit. Është çuar në fund drejtësia për ju?

Pëllumb Zelo: Jo nuk është çuar drejtësia në vend sepse ai muri duhet prishur i gjithë. Ka hyrë 120 metra brenda tokës sime dhe që më takon mua. Sot duhet të ishte ekspertja për ndarjen e kufirit sepse ajo e ka bërë vetë hartën.

A ishte ekspertja sot?

Pëllumb Zelo: Jo nuk ishte ekspertja, ishte vetëm përmbaruesja, kështu që unë nuk e quaj fare këtë. Më thanë ec firmos procesverbalin unë nuk e firmosa sepse nuk jam dakord me këtë ndarje që bëjnë këta.  

Përmbaruesja Gjergjova i ka dhënë njërit prej vëllezërve më shumë metra e tjetrit më pak. Ekspertja e caktuar në këtë çështje në ditën e ndarjes nuk ka qenë e pranishme pasi ka qenë e sëmurë. Këtë fakt ajo e ka konfirmuar edhe për emisionin “Stop”.

Gazetari i “Stop” e pyet përmbaruesen Gjergjova, se pse e ka ndarë pasurinë pa eksperten. Por ajo mjaftohet duke thënë, se duhet të marrë leje te drejtoria për të folur edhe pse ajo është njëkohësisht drejtuesja e përmbarimit shtetëror në Lushnje.

Gazetari: A mund të flasim për një çështje që po investigojmë?

Luiza Gjergjova: Ju bëni çfarë të doni, por unë pa leje nga drejtoria nuk jap asnjë gjë.

Gazetari: Ju jeni eksperte?

Luiza Gjergjova: Jo nuk jam.

Gazetari: Pse keni ekzekutuar një urdhër pa eksperten? Si e komentoni?

Luiza Gjergjova: Shkoni merrni informacionet.

Gazetari: Ku t’i marr? I kam marrë zonjë…

Luiza Gjergjova: Merri te drejtoria.

Gazetari: Si te drejtoria?

Luiza Gjergjova: Tani të lutem mos hajde kot mbrapa. Të lutem.

Gazetari: Më justifiko si e ekzekuton një urdhër ekzekutimi pa eksperten. S’jam unë zonjë, unë jam gazetar. Mos më shtyj…

Luiza Gjergjova: Nëse je gazetar shko tek juristi atje.

Në këtë moment, përmbaruesja i merr mikrofonin nga dora gazetarit.

Gazetari: Çfarë është kjo sjellje?

Luiza Gjergjova: Unë po të them shqip…

Gazetari: E ke fiksim që i merr gjërat e tjerëve pa lekë? Si e justifikon ekzekutimin e një urdhri pa ekspertes?

Luiza Gjergjova: Ooooo uhaaaa! Mor zotni merr vesh apo jo?

Gazetari: Ke detyrë publike… Zonjë jeni mirë psikologjikisht, mendërisht?

Drejtuesi i emisionit “Stop” Saimir Kodra i bëri apel drejtueses së përmbarimit shtetëror që të shikojë se çfarë ka ndodhur në Lushnje.

“Dikush do të thotë që habi e madhe mes dy vëllezërve në konflikt. Shyqyr që janë gjykatat që dhanë një vendim që askush nuk e ka kundërshtuar. Ka marrë vendimin e prerë, pra gjithsecilit i takojnë metrat përkatëse. Në të gjithë ato sherre që kanë, që mund të kenë këmbime verbale, në momentin që zonja Gjergjova duhet të sheshonte gjërat, i ka hedhur benzinë zjarrit. Pse? Edhe çfarë? Nuk është çudi nesër që për këto metrat të lindë një konflikt nesër. Apel shumë i fortë për titullaren e përmbarimit shtetëror këtu në Tiranë, që t’i hedhë sytë pak nga kjo e Lushnjes, të marrin edhe një eksperte, të shkojnë atje dhe të ndajnë hakën siç e ka thënë gjykata”, tha Saimir Kodra./tvklan.al