KQZ ndalon promovimin e punës së qeverisë në disa dikastere

4 muaj përpara zgjedhjeve, qeverisë i ndalohet të japë kontrata koncensionare dhe ato të Partneritetit Publik Privat.

Vendimi i marrë nga Komisioni Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pasditen e së enjtes e detyron ekzekutivin dhe drejtues të dikastereve të rëndësishme që të raportojnë në KQZ përpara çdo aktiviteti.

Por cilat janë veprimtaritë, që duke nisur nga 24 Dhjetori e deri në 25 Prill i ndalohen qeverisë?

Krahas PPP-ve dhe koncensioneve, listës i shtohet edhe shpërndarja në veprimtari publike, e dhënies së lejeve të legalizimit, si dhe certifikatave të pronësisë.

Gjithashtu katër muaj përpara zgjedhjeve ndalohet edhe përdorimi i detyruar në fushatë elektorale i administratës shtetërore, marrja dhe pushimi nga puna, transferimi në detyrë në institucionet apo entet publike, si dhe emërimet provizore gjatë fushatës elektorale.

Çdo kontratë apo PPP e firmosur përpara datës 24 Dhjetor nga qeveria, apo pushteti lokal, nuk e kushtëzon aspak kryeministrin dhe drejtuesit vendorë që të vijojnë me prerjet e shiritave apo dhëniet e çelësave për shtëpitë e rindërtuara pas tërmetit.

Në këtë mënyrë qeveria do të vijojë të inaugurojë projekte të nisura më herët në infrastrukturë, arsim e shëndetësi deri në 25 Prill.

Tv Klan