Sezoni i katërt i një prej serialeve më të suksesshëm të momentit “La Casa de Papel” nis në 3 Prill. Një kaos total, ku profesori beson se Lisbona është vrarë. Rio dhe Tokio kanë hedhur në erë një tank të ushtrisë, ndërsa Nairobi po lufton mes jetës dhe vdekjes.

Banda është duke kaluar një nga momentet më të vështira dhe me shfaqjen e një armiku të ri në radhët e tyre “vjedhja” do të kthehet në një rrezik për të gjithë. “Shtëpia e letrës” (La Casa De Papel ose Money Heist), një serial origjinal spanjoll me një grup kriminelësh. Secili prej tyre mban një emër qyteti të vendosur nga Profesori, një burrë misterioz i cili po planifikon grabitjen më të madhe në histori. Për të çuar deri në fund planin e tij ai rekruton tetë njerëz me aftësi të ndryshme që nuk kanë asgjë për të humbur nga jetët e tyre.

Synimi (në sezonin e parë dhe të dytë) ishte që të hynin në fabrikën e parave të Spanjës dhe printonin 2.4 bilionë euro. Për të arritur këtë shumë i duheshin 11 ditë izolim në fabrikë, gjatë të cilave ata do të printonin paratë, pra të mos ishte një vjedhje. Sezoni i tretë i serialit është një rikthim dy vite pas fundit të grabitjes, me grupin që përpiqen të vazhdojnë jetët e tyre normale, por jo për shumë gjatë, sepse papritur ata janë pjesë e një grabitje të re me personazhe të rinj në bandë. /tvklan.al