Vendoset hapja e disa kutive në Berat

KAS me shumicën e votave vendosi mos pranimin e kërkesës nga PD-AN për marrjen e provave apo informacioneve shtesë.

Për këtë reagoi edhe sekretari i PD-së për Çështje Zgjedhore, Ivi Kaso. Ai tha se KAS është i detyruar të marrë këto prova. Megjithatë, sipas tij e gjitha bëhet për të mos zbuluar masakrën zgjedhore, që demokratët thonë se u bë më 25 Prill. Kaso u shpreh se opozita do ta vijojë betejën e saj.

“Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve, sot me një vendim që ne e quajmë të kundraligjshëm vendosi përsëri të mos marrë provat e kërkuara nga opozita dhe PD, lidhur me veprimtarinë dhe sjelljen e institucioneve, në momentin e përgatitjes së procesit zgjedhor të datës 25 prill, përkundër kjo detyrimit që Neni 137 i Kodit Zgjedhor e parashikon qartë që “Kur këto prova gjenden në disponibilitetin e institucioneve, atëherë është KQZ, në rastin konkret KAS, t’u drejtohet dhe t’i marrë këto prova.” Sigurisht këto prova që do të zbulonin masakrën zgjedhore të 25 prillit, nuk janë vënë dhe as nuk i vihen në dispozicion opozitës dhe rruga e vetme për t’i administruar ato në procesin ankimor është që vetë KAS-i t’i drejtohet me kërkesë organeve kompetente dhe të marrë të gjithë informacionin e kërkuar nga ana jonë.  Kjo vendimmarrje konstante për të mos administruar provat që ne kërkojmë shkon në drejtim të kundërt të transparencës të procesit zgjedhor dhe në drejtim të kundërt jo vetëm të pritshmërisë, jo vetëm të opozitës, e cila është ankuese në këtë proces por gjithë shqiptarëve dhe gjithë zgjedhësve për transparencë mbi çdo aspekt, ende të errët të masakrës zgjedhore të 25 prillit. 

PD është i drejtuar organeve zyrtarisht por provat nuk i janë vënë dhe nuk besoj se do i vihen opozitës. PD ka paraqitur një numër të madh provash. Ne do të vazhdojmë betejën tonë të të gjitha kërkesat ankimore jo vetëm në KAS, por në të gjitha shkallët ankimore”, tha Kaso.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve dha këtë të shtunë vendimin në lidhje me kërkesat e partive të opozitës për rivotim dhe rinumërim në Qarkun e Beratit. KAS ka vendosur që të marrë në shqyrtim disa prej materialeve zgjedhore në disa qendra votimi në Berat.

Administrata e KQZ-së duhet të sigurojë transportin dhe më pas hapjen e kutive të këtyre QV-ve ku kryesisht do të merren procesverbalet, tabelat përmbledhëse, tabelat për subjektet, tabelat për kandidatë dhe shënimet në regjistra.

“Lidhur me shqyrtimin e ankimeve të subjekteve zgjedhore LSI dhe PD-AN lidhur me kundërshtimin dhe shpalljen e pavlefshme në Qarkun Berat, në vlerësim të provave dhe fakteve të paraqitura nga palët, KAS vendosi marrjen kryesisht në cilësinë e provës të dokumentacionit dhe materialeve zgjedhore që ndodhen në kutitë e materialeve të votimit për qendrat e votimit të qarkut.

Për këtë arsye ngarkohet administrata e KQZ të marrë të gjitha masat për transportin dhe hapjen e të gjitha kutive të sipërpërmendura për administrimin e provave të sipërcituara”.

Më pas në rast se do të hasen paqartësi dhe problematika në këto prova që do të marrë KAS, atëherë do të ketë rinumërim të votave në Qarkun e Beratit.

Po ashtu me kërkesën e dy anëtarëve, KAS vendosi të administrojë si provë të dhënat të kryqëzuara të pajisjeve të identifikimit elektronik në Berat për të bërë të mundur identifikimin e rasteve të votimit të dyfishtë ose familjar sipas kërkimit apo pretendimeve të bëra nga PD-AN. 

Mbledhjet e KAS janë shoqëruar me diskutime të forta mes përfaqësuesve të palëve gjatë diskutimit të këtyre çështjeve. /tvklan.al