Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Këshilli i Europës ka reaguar sot ndaj deklaratave të deputetëve demokrat për mosnjohjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Përfaqësuesi special i KE në Tiranë, Jorgen Grunet, u shpreh për Tv Klan se të gjitha forcat politike shqiptare duhet të veprojnë në frymën e konsensusit, përsa i përket KQZ-së.

“Zgjedhjet lokale shihen nga Komuniteti Ndërkombëtar si një provë e madhe për demokracinë shqiptare. Nuk është marrë akoma një vendim përfundimtar mbi KQZ, prandaj le të shpresojmë akoma në një zgjidhje”.

Përsa i përket monitorimit të zgjedhjeve, Grunet shprehet:

“Në bazë të kërkesës së qeverisë shqiptare KE, nëpërmjet kongresit të autonomisë lokale e rajonale, do të dërgojë vëzhgues në Shqipëri, ndërsa pala tjetër e monitorimit, do të jetë OSBE-ja përmes zyrës së saj që quhet ODHIR. Organizatat e ndryshme monitoruese do të koordinojnë punën, asnjëra nuk do të kryesojë tjetrën dhe nëpërmjet një deklarate të përbashkët do të paraqesim të njëjtin mendim për zhvillimin e zgjedhjeve”.

Këto deklarata të përfaqësuesit të Këshillit të Europës në Tiranë Grunet, bëhen në pesë vjetorin e pranimit të Shqipërisë në këtë organizëm europian. Parlamentarë të pozitës dhe opozitës, diplomatë dhe gazetarë morën pjesë në promovimin e librit “Këshilli i Europës dhe Shqipëria”, në të cilën botohen rezolutat e miratuara për zhvillimet politike, gjatë këtyre viteve në vendin tonë./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame