Ukraina pretendon se ka shkatërruar 6 avionë rusë në një bazë ajrore në rajonin e Rostovit në një sulm me dronë kundër objektivave në Rusinë jugore. Burime të sigurisë thanë për “BBC Ukrainian” se 8 avionë të tjerë u dëmtuan rëndë dhe 20 personel shërbimi mund të jenë vrarë ose plagosur.

Sipas të njëjtave burime, në bazën e Morozovsk ndodhen avionë Su-27 dhe Su-34 të përdorur në vijën e frontit në Ukrainë. Ministria ruse e mbrojtjes tha se rajonet Saratov, Kursk, Belgorod dhe Krasnodar ishin gjithashtu në shënjestër, teksa shtoi se të gjithë dronët janë rrëzuar.

Në rrethin Morozovsk të Rostovit, një nënstacion elektrik u godit duke lënë rreth 600 njerëz pa energji për disa orë, tha guvernatori i Rostovit Vasily Golubev në kanalin e tij Telegram. Ai shtoi se ka pasur disa dëmtime në një bllok banimi 16-katësh.

Ukraina ka shtuar sulmet me dronë ndaj objektivave brenda Rusisë kohët e fundit, duke synuar objektet ushtarake dhe energjetike. Ajo ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se ushtria e saj po përballet me mungesa të mëdha municionesh, por ka vendosur si objektiv prodhimin e një milion droneve brenda vendit këtë vit./tvklan.al