“Një shtrat plot me të huaj”, shfaqje argëtuese e më shumë të papritura

E shkruar nga Dave Freeman dhe me regji nga Adelina Muça, është ngjitur në skenën e teatrit “Aleksandër Mosiu” në Durrës komedia angleze “Një shtrat plot me të huaj”.

Një shfaqje argëtuese me plot të papritura dhe njerëz të panjohur, që ngatërrojnë identitetet dhe tradhëtojnë partnerët në një hotel.

Adelina Muça (Regjisore): Komedi situate, por që ka karaktere të jashtzakonshme brenda saj. Janë ngjarje të vendosura në një hotel që pret e përcjell karaktere të ndryshme, vijnë çifte që zihen…

Rudina Dembacaj (aktore): Personazhi im quhet Brenda, është një grua angleze. Ka disa vite martuar me Stanley-n që luhet nga Gentian Zenelaj. Sa e brishtë, aq ka dhe ato krizat e veta…

Me një hotel dhe personazhe, që ndryshe shfaqen dhe ndryshe janë, komedia përcjell mesazhe të forta dhe vjen më aktuale se kurrë.

Adelina Muça (Regjisore): Ai mesazh të cilin kam dashur të përcjell është fakti se njerëzit ndonjëherë tregohen budallenj dhe lodhen duke treguar atë që nuk janë në të vërtetë.

Mimi Marjanaku (Aktore): Reklamojmë një hotel të shkëlqyer me kushte të përsosura dhe në fakt njerëzit që vijnë gjejnë atë që nuk kanë pritur.

Jo vetëm aktrim, por dhe kërcime e këngë, aktorët sollën për publikun një shfaqje që i kishte të gjitha. Pas Durrësit, vepra “Një shtrat plot me të huaj” do të udhëtojë drejt Tiranës.

Klan News