Opozita kosovare akuzoi mazhorancën në pushtet të Albin Kurtit se për herë të parë në historinë e Kuvendit të Kosovës, është sabotuar prej tyre ngritja e komisioneve hetimore.

Dy partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, LDK e PDK, kanë thënë se duke marrë parasysh numrin e madh të kontratave të nënshkruara nga qeveria, është i domosdoshëm formimi i këtyre komisioneve.

Deputetët Hykmete Bajrami dhe Hajdar Beqa janë shprehur se mospërkrahja e rezolutës në Kuvend, ku parashihej edhe formimi i këtij komisioni hetimor, dëshmon se partia në pushtet ka diçka për të fshehur.

Hykmete Bajrami, kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike: Njëra nga kërkesat e rezolutës ishte që të krijohej një komision hetimor parlamentar për të parë me të gjitha organizatat buxhetore se cilat kanë qenë arsyet për nënshkrimin e një numri të madh të kontratave të negociuara. Do të thotë edhe mospërkrahja gjithashtu e komisionit hetimor që është i vetmi element, është instrumenti i vetëm që opozita e ka si element demokratik për të implementuar mbikëqyrjen e qeverisë. Është një indikacion shtesë për prokurinë e shtetit që në mënyrë sa më parë të hyjë në hetim të këtyre kontratave.

Hajdar Beqa, deputet i PDK: Nuk ka pasur një precedent të tillë në të kaluarën që mazhoranca të pengojë themelimet e komisoneve. Mendoj që është një domosdoshmëri dhe nëse ne jemi për transparencë dhe qytetarët të dijnë se si po menaxhohet paraja publike apo djersa e tyre mendoj që komisionet hetimore janë një domosdoshmëri.

Ndërkaq përfaqësuesit e bizneseve kanë thënë se numri i madh i këtyre kontratave e dëmton buxhetin dhe konkurrencën e drejtë.

Besart Dereshaj, kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës: Po i bëhet padrejtësi konkurrencës dhe mbi të gjitha po dëmtohen kompani të cilat janë serioze sepse nuk duan të kenë komunikim fare në aspektin politik, por duan të jenë korrekt dhe strikt për të zhvilluar ato që nënshkruajnë.

Përkundrejt hezitimit të Kurtit opozita e ka edhe një opsion për formimin e këtij Komisioni, duke mbledhur 40 nënshkrime të deputetëve. Sipas opozitës kosovare shuma e abuzimeve në këto 780 kontrata është mbi 200 milionë Euro.

Klan News