Balluku: Vlera e investimit arrin në 120 milionë $

Kompanitë amerikane Exxon Mobil dhe Excelerate Energy që do të riparojnë termocentralin e Vlorës dhe do të furnizojnë Shqipërinë me gaz të lëngshëm, do të nisin menjëherë punën në terren pas nënshkrimit një ditë më parë të marrëveshjes me qeverinë shqiptare.

Në një interviste online me televizionin Klan, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tregon nga SHBA, se së shpejti pritet të vijnë në Shqipëri skuadrat me inxhinierë të për të nisur matjet dhe për të finalizuar projektin.

“Puna nis menjëherë me firmosjen e marrëveshjes, 6 muajt e parë do të vijnë inxhinierët e parë në Vlorë për të bërë studimet dhe matjet”.

Vlera e projektit për riparimin e termocentralit të Vlorës dhe ndërtimit të terminalit të shpërndarjes së gazit në Portin e Vlorës, llogaritet 120 milion dollarë. Kompania Exxon Mobil do ta furnizojë me gaz, ndërsa Exelerate Energy do të bëjë operimin e Tecit. Ministrja Balluku sqaron se buxheti i shtetit nuk do të ketë asnjë implikim financiar, përveç blerjes së energjisë së termocentralit nga OSHEE përmes një çmimi të fiksuar.

“Mbi 120 milion $ investimi në termocentral dhe portin e lundrueshëm, nuk do të kemi implikim financiar, por energjinë e prodhuar do ta blejmë përmes një çmimi të rregulluar.”

Furnizimi i Shqipërisë me gaz të lëngët nga SHBA nuk afekton masterplanin e gazifikimit të vendit dhe benefitet që pritet të vijnë nga gazsjellësi Trans Adriatik, thotë Balluku.

“Ky është një projekt tjetër, do ngremë kapacitetet tona njerëzore, për mirëmbajtjen e tubacionit dhe planet për gazifikimin nuk afektohen, ky është projekt i ri”.

Shpërndarja e gazit në rrugë tokësore do të bëhet përmes autobotëve, ndërsa furnizimi i TEC-it të Vlorës parashikohet me anije që do të sjellin gazin e lëngshëm. Termocentrali i Vlorës i kushtoi Shqipërisë 130 milionë dollarë, por që prej vitit 2011, kur përfundoi ndërtimin nuk punoi asnjë ditë për shkak të defektit që u konstatua në turbinën e ftohjes pas marrjes në dorëzim. Pavarësisht kësaj, kosto e prodhimit të energjisë me naftë del ekonomikisht më e lartë se të importosh energjinë elektrike.

Tv Klan