Në një kohë kur gjithë bota është alarmuar nga përhapja e virusit të rrezikshëm koronavirus, bota virtuale po përballet me një tjetër shqetësim.

Hakerat po përdorin këtë situatë duke shpërndarë artikuj në internet ku pretendohet se jepen informacione për rrezikshmërinë e virusit, si mund të shmanget apo shkaqet e përhapjes së koronavirusit. Në të vërtetë, këto artikuj janë mashtrime, pasi përmbajnë kode të krijuara nga hakerat për të vjedhur informacionin personal.

Ekspertët thonë se përveç artikujve, hakerat shpërndajnë edhe formate të tilla si PDF ose MP4. Nëse i klikoni këto materiale, qoftë në kompjuter apo celular, hakerat do të kenë mundësi të hyjnë në pajisjet tuaja dhe të marrin të dhënat tuaja personale.

Koronavirus ka marrë një vëmendje të gjerë në mbarë mediat botërore, dhe kjo ka bërë që hakerat të shfrytëzojnë këtë rast. Virusi i rrezikshëm me origjinë nga Kina ka shkaktuar mbi 200 të vdekur deri më tani. Të gjithë viktimat janë shënuar në Kinë, ndërsa mbi 10 mijë të tjerë janë infektuar në mbarë botën. Raste të koronavirus janë shënuar edhe në Evropë. Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur emergjencën globale. /tvklan.al