Ka përfunduar procesi i votimit në Kosovë për Kuvendin e ri. Deri më tani, nuk ka pasur incidente nëpër qendrat e votimit. Sipas të dhënave të KQZ-së së Kosovës, në zgjedhje ka patur pjesëmarrje mbi 32% të qytetarëve me të drejtë vote.

Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 të mëngjesit.

Kujtojmë se më parë, u mbyll procesi i votimit edhe nëpër të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në Kosovë, ku votuan 774 të burgosur.

E para që votoi në Kosovë ishte Valdete Daka, kryetarja e KQZ-së. Ajo deklaroi se KQZ-ja i ka përfunduar të gjitha përgatitjet dhe detyrimet e veta kushtetuese e ligjore për votimet e së dielës.

Daka bëri thirrje për qytetarët që të zbatojnë rregullat e Covid, në momentin që do të votojnë.

“Ftoj qytetarët t’i respektojnë rregullat e pandemisë dhe gjatë ushtrimit të së drejtës së tyre, votimit”, ka thënë Daka në prononcimin për media duke shtuar se, “Sot ia dorëzojmë gjithë procesin subjekteve politike dhe votuesve. Ftoj subjektet politike t’i respektojnë rregullat, Ligjin për zgjedhjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, ka shtuar ajo.

Ndërsa sa i përket organizimit të zgjedhjeve në veri, Daka tha se, “Edhe në vitet e kaluara zgjedhjet i kemi organizuar vetë. Misioni i OSBE-së ka pasur vetëm rol këshillues”.

Votojnë të burgosurit

Të dënuarit në Kosovë kanë votuar për zgjedhjet parlamentare. Nëpër të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në Kosovë, procesi i votimit u përmbyll dhe të drejtë vote kishin 1134 të burgosur.

Nga këta, 774 të dënuar votuan, kurse pjesa tjetër refuzuan dhe nuk morën pjesë në votim. Gjatë këtij procesi nëpër burgjet e Kosovës nuk është shënuar asnjë incident. Ndërkohë, zyrtarisht i gjithë procesi i votimit në Kosovë do të mbyllet në orën 19:00

32.32% pjesëmarrja në votime

Në konferencën e fundit të KQZ-së është njoftuar se 32.32% është pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje, krahasuar me vitin e kaluar që ka qenë 29.28%.

Gazetarja e Tv Klan, Blerta Dalloshi Berisha, tha se janë evidentuar disa parregullsi të vogla, por që nuk e cënojnë integritetin e zgjedhjeve.

Megjithatë ajo që është vërejtur, është që sindikata e shëndetësisë ka reaguar dhe ka kërkuar që ekipet e lëvizshme të shkojnë në SHSKUK për të votuar qytetarët të cilët kanë të drejtë vote dhe janë të shtrirë në spitale.

Daka deklaroi se personat që janë regjistruar deri më datën 11 Shkurt do të votojnë në spitale.

Hoti thirrje qytetarëve: Sot është dita juaj, shfrytëzojeni të drejtën e votës

Kandidati i LDK-së për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, Avdullah Hoti, ka votuar. Në një prononcim të shkurtër për mediat ai i bëri thirrje qytetarëve që të votojnë.

“I kryem obligimet tona kushtetuese për të votuar. Ftoj qytetarët që kanë të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar. Sot është dita e tyre. Falenderoj krejt stafin, duke filluar nga zyrtarë të KQZ, vëzhgues, komisionerë, vëzhgues. Pres që të kemi standard zgjedhor të lartë”, tha Hoti.

Përpara Hotit ka votuar kandidati për Kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj, në Fakultetin e Filologjisë. Ai ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Remzie Shahini-Hoxhaj.

Voton Kurti: Sot ditë e bardhë dhe e ndritshme si e ardhmja jonë

Kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, iu ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë. Të shndritshme dhe të bardhë e konsideroi ai të ardhmen e Kosovës, ndërsa shtoi se me zgjedhjet e sotme, sovraniteti i kthehet popullit.

“Sot është ditë e bardhë, e ndritshme ashtu siç do të jetë e ardhmja jonë. Sot kjo nevojë është edhe e drejtë e cila më tej paraqet mundësi dhe shans që duhet shfrytëzuar dhe duhet përdorur. Kosova si shtet i pavarur, këtë të dielë i kthehet popullit si burim i sovranitetit. Për dashuri për vendin duhet të votojnë”, tha Kurti.

Lideri i LVV-së nuk komentoi shumë pasi u pyet nga gazetarët nëse beson se partia e tij do të arrijë mbi 51% të votave.  

“Fushata ka përfunduar pardje, sot e kanë fjalën qytetarët”, tha Kurti.

Ramush Haradinaj: Ju lutem votoni të gjithë

Kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, bashkë me gruan e tij Anita Muçaj – Haradinaj, kanë votuar në shkollën e mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”, njofton Klan Kosova.

Pasi kreu obligimin e tij qytetar, Haradinaj iu bëri thirrje të gjithëve të dalin të votojnë.

“Lus të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e vet. Këto zgjedhjet janë me rëndësi, na presin shumë sfida. Përballja me Serbinë, situata me pandeminë, ju lutem votoni të gjithë”, tha Haradinaj.

Ambasada amerikane në Kosovë: Për Shën Valentin tregoni dashurinë për vendin, votoni

E teksa Kosova zhvillon zgjedhjet e parakohshme, ambasada amerikane në Prishtinë u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë.

“Në këtë Shën Valentin tregojeni dashurinë për vendin dhe familjen tuaj. Votoni. E ardhmja e Kosovës është në duart tuaja”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Zgjedhjet në Kosovë, Xhaçka: Kohë vendimtare për shqiptarët

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, është shprehur se dita e zgjedhjeve këtë të diel është një ditë e madhe për Kosovën. Ajo uroi për një garë të qetë dhe thotë se kjo kohë është vendimtare për shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe kudo.

“Një ditë e madhe për Kosovën ! Urojmë për një garë të qetë e qytetare siç e meritojnë qytetarët kosovarë. Kjo është një kohë vendimtare për shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi e kudo. Një kohë për t’i treguar Europës e botës maturi e mençuri”, thuhet në reagimin e Xhaçkës.

E shoqëruar nga bashkëshorti dhe vajzat, voton Vjosa Osmani

Të drejtën e saj kushtetuese këtë të diel e ka ushtruar edhe Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo ka votuar në një qendër votimi në Fakultetin Teknik në Prishtinë. Gjatë këtij momenti, Osmani ka qenë e shoqëruar nga bashkëshorti dhe dy vajzat.

Osmani u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë ndërkohë që një ftesë të veçantë e pati për gratë e Kosovës. “Një ftesë e veçantë për të gjitha gratë e Kosovës që të marrin pjesë në proces sepse barazia nis nga kutitë e votimit”, tha ndër të tjera ajo.

Votojnë bashkëshortja dhe djali i Hashim Thaçit

Në zgjedhjet e sotme parlamentare që po mbahen në Kosovë, tanimë kanë hedhur votën e tyre edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli si dhe bashkëshortja e ish-presidentit të Kosovës Thaçi, zonja Lumnije Thaçi dhe djali i tij Endrit Thaçi.

Mustafa, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ka bërë thirrje për qytetarët që të dalin në votime.

 “Sot kisha dashtë të ftojë të gjithë qytetarët në këtë ditë jo të përshtatshme për votim për shkak të motit të keq, të dalin dhe të votojnë – ta kryejnë obligimin si qytetarë. Shpresoj që të gjithë qytetarët të votojnë për demokratizimin e mëtutjeshëm të vendit për zhvillim ekonomik, presporitet dhe forcim të ligjit të shtetit të Kosovës”, është shprehur  Mustafa.

Ndërsa edhe Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli pas votimit ka bërë thirrje për të qytetarët.

“Shpresoj që qytetarët të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për një jetë më të mirë, shpresoj që kjo ditë të shkojë mirë e të shërbejë edhe për të tjerët”.

Në Kosovë kanë të drejtë vote 1.794.862 qytetarë. Gjithsej janë të hapura 2.382 vendvotime në 38 komuna.

Këtë vit, KQZ-ja ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut. Në këto zgjedhjet është thënë se do të votohet vetëm me dokumente të Kosovës./tvklan.al