Në emisionin “Historia Ime” nga Mirela Milori në “Tv Klan” u trajtuan çështjet e ditëve të fundit në të cilat ka mbizotëruar kronika e zezë, duke u bërë kryefjala e ditës në edicionet informative.

Ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Dragostunjë të Librazhdit ku 56-vjeçari Qemal Bici u vetëvar pasi vrau me sëpatë gruan e tij 53-vjeçare Minevere Bicin dhe më pas u gjendën nga djali i tyre 20-vjeçar, ishte e para që u shqyrtua.

Gazetarja e emisionit “Historia Ime”, Eriselda Martini, zhvilloi me kunatin e viktimës një intervistë ekskluzive. Ai shprehet tejet i habitur për tragjedinë duke thënë se nuk është në dijeni të asnjë motivi që ka çuar në kryerjen e krimit, pasi nuk ka asnjë lloj patologjie të llojit dhunë familjare, alkool, bixhoz apo pamundësi ekonomike. Në hapje të insertit, ai tregon pemën në të cilën autori i vrasjes u vetëvar e aty ka mbetur ende një copë litar.

Eriselda Martini: Ka ardhur policia në darkë vonë, besoj?

Fatmir Faqolli: Jo, jo, ka ardhur në çast.

Eriselda Martini: Kush e ka lajmëruar, familjarët, apo fqinjët?

Fatmir Faqolli: E lajmëruan familjarët.

Eriselda Martini: Atëherë, ju jeni kunati?

Fatmir Faqolli: Kunati i Qemal Bicit.

Eriselda Martini: Çfarë ka ndodhur, ju normalisht jeni familjar, Qemali ka qenë i dhunshëm?

Fatmir Faqolli: Jo, s’ka qenë i dhunshëm fare. Patën shkuar mirë, edhe neve na erdhi si habi kur e dëgjuam.

Eriselda Martini: Sa vite martesë kishin?

Fatmir Faqolli: 30 e ca vite. Fëmijët të rritur, të martuar, të sajuar, me pasuri, me të gjitha. Edhe ne kur e morëm vesh nga televizori, u habitëm.

Eriselda Martini: A dini të kishin patur probleme në martesë?

Fatmir Faqolli: Jo, jo asgjë fare.

Eriselda Martini: Po si ka mundësi?

Fatmir Faqolli: Po edhe ne po habitemi. Po habitemi.

Eriselda Martini: Çfarë ndodhi, kush ishte personi i parë që erdhi dhe pa ngjarjen?

Fatmir Faqolli: Këta komshinjtë këtu, se unë jam nga një fshat tjetër.

Eriselda Martini: Çfarë thanë, kishin dëgjuar gjë?

Fatmir Faqolli: Jo, jo asgjë fare, kishin ardhur të çelnin bagëtitë aty, kishin thirrur ka njeri, s’ka njeri, hapin derën e aq. S’morën vesh gjë, pastaj kishte ardhur policia.

Eriselda Martini: Ju çfarë mendoni , pse mund të ketë kryer këtë akt?

Fatmir Faqolli: Po ku di gjë vëllai jot, unë u habita për vete. Asgjë, patën shkuar jashtëzakonisht mirë. Kaq, s’di unë asgjë tjetër.

Eriselda Martini: Djali e ka gjetur në banesë?

Fatmir Faqolli: E ka gjetur djali, djali i vet se ka një djalë të vogël. Ai e ka gjetur.

Eriselda Martini: Si është djali, në çfarë gjendjeje?

Fatmir Faqolli: Djali është në gjendje të mirë. Nuk ka gjë fare, madje iku me njerëzit e së ëmës edhe do shkojnë të mbarojnë varrimin e do vijnë këtu pastaj.

Eriselda Martini: Po çfarë mund të ketë ndodhur sipas jush, jeni familjar?

Fatmir Faqolli: Unë jam familjar, po derisa nuk di gjë, ç’të them? Nuk di asgjë. Unë po them u habita kur e mora vesh, erdha menjëherë, me një frymë. Thashë si ka mundësi, si ka mundësi të ndodhë kjo gjë? Asnjë problem, as sherr, të gjitha në rregull, me shtëpi në Tiranë, me shtëpi këtu. Të gjitha, pra. U habitëm, u habitëm.

Eriselda Martini: Xhelozi, ndoshta ka patur, ka qenë ndoshta person xheloz?

Fatmir Faqolli: Jo, jo, po ai ishte mosha ime, moshë e vjetër, te 60 vjeç. Për çfarë do kemi më xhelozi, jemi pleq, nuk e bëjnë të rinjtë atë e jo më ne pleqtë. /tvklan.al