Kryebashkiaku i Bulqizës pyetet nga SPAK



Kryebashkiaku i Bulqizës pyetet nga SPAK

19:40 23/01/2020

Alla: Nuk jam unë personi në pamjet filmike

“Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla është paraqitur në zyrat e SPAK, ku është marrë në pyetje në lidhje me një video, në të cilën pretendohet se ai shfaqet duke konsumuar lëndë narkotike. Ai ka qëndruar para prokurorit Ened Nakuci për 1 orë e 20 minuta, ku ka dhënë shpjegime të hollësishme në lidhje me përmbajtjen e videos. Mësohet se Kryebashkiaku Alla ka mohuar se është ai personi që shfaqet në video”.

Në dalje të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Lefter Alla, i shoqëruar nga avokati i tij Petrit Ismaili, nuk pranoi të bënte komente.

Qëndrimi i tij para prokurorit ka qenë i prerë: Nuk është ai personi që shfaqet në pamjet filmike të kameras së sigurisë së një lokali dhe që sipas një denoncimi të bërë nga Partia Demokratike, është duke konsumuar kokainë.

Pak orë përpara se të paraqitej në prokurori Alla tha se ishte në dijeni të ekzistencës së një videoje të tillë prej 1 viti, por bëhej fjalë për një video-montazh që i bëhej për ta shantazhuar.

“Dua të sqaroj gjithashtu se ekzistenca e një video-montazhi më është bërë me dije prej rreth një viti, por gjithmonë kam besuar dhe besoj se duhet të jetë drejtësia ajo që ta hetojë dhe ta zbardhë’.

Në SPAK u thirr për sqarime edhe gazetari Artan Hoxha, që e publikoi videon në ABC News. Ai i qëndroi versionit se në video ishte Kryebashkiaku i Bulqizës dhe hodhi poshtë akuzat për shantazh.

“Ne kemi folur për pushtetarë që marrin vendime nën efektin e lëndëve narkotike. Tani që e pata rastin e publikova”.

Partia Demokratike reagoi edhe këtë të enjte për videon, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Gazmend Bardhi, i cili tha se Kryeministri Rama e ka detyrim ligjor dhe përgjegjësi politike ta shkarkojë menjëherë nga detyra Lefter Allen.

Ndërsa Alla paralajmëroi padi ndaj ish-deputetit Ervin Salianji, i cili e denoncoi atë publikisht si personi që shfaqej në pamjet filmike. SPAK i nisi hetimet kryesisht për veprën penale “Mbajtje të substancave narkotike”, sipas nenit 283, që parashikon burg gjer në 10 vjet, por jo për rastet e përdorimit.

Tv Klan




Të ngjashme