LSI-ja së bashku me PD-në në vitin 2019 dogjën mandatet e deputetëve, një vendim ky që sot konsiderohet i gabuar nga opozita.

Kryetari i Partisë së Lirisë (ish-LSI), Ilir Meta, thotë se ka konflikt politik me Monika Kryemadhin (bashkëshortja e tij dhe drejtuesja e LSI në atë kohë) për vendimin e djegies së mandateve. Meta pretendon se nuk kishte dijeni për djegien e mandateve nga të gjithë deputetët e LSI-së.

Por Kryemadhi, në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, ka pranuar se Ilir Meta dinte vetëm për djegien e mandatit të saj dhe jo të deputetëve të tjerë. Megjithatë, ajo thotë se nuk e ka gënjyer, por bën fajtorë ish-deputetët e LSI në atë kohë që nuk u treguan të sinqertë dhe nuk u konsultuan me Ilir Metën për vendimin e tyre.

Blendi Fevziu: A kishte dijeni Ilir Meta që ju do digjnit mandatet?

Monika Kryemadhi: Ilir Meta kishte dijeni që do ta digjte vetëm Monika Kryemadhi mandatin. Dhe deputetët e tjerë jo.

Blendi Fevziu: Po pse e gënjyet?

Monika Kryemadhi: Jo nuk e kam gënjyer unë. Në qoftë se Ilir Meta do të gjejë shkak te djegia e mandateve le ta gjejë shkakun, kjo është çështja e tij, edhe e imja bashkë, e marr unë përsipër. Por sot bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë janë ata që kanë djegur mandatet. Mua mandatin në 2017, në 2013 nuk ma ka dhënë Ilir Meta. Unë e kam fituar vetë mandatin. Në 2009 më ka çuar Ilir Meta në Dibër, kishte 500 vota e çova me 4500 vota. Fillikat e vetme. Në 2013 më çoi në Lezhë pa asnjë lloj lidhje, e kishte me 500 vota e çova me 9500 vota. Në 2017 kam shkuar në Elbasan atje përballë bandave dhe e di shumë mirë ai historinë e Elbasanit, mua nuk ma ka dhënë mandatin Ilir Meta, të tjerëve po ja u ka dhënë mandatin Ilir Meta dhe kishin moralin ta merrnin Ilir Metën në telefon, të gjithë këta që bëjnë sot si besnikët e Ilir Metës. Të gjithë ata që kanë marrë mandat qyl nga Ilir Meta në 2017 dhe që bëjnë sot që presin radhën, e kishin për detyrë ta merrnin Ilir Metën në telefon dhe t’i thonin që ne po djegim mandatin. Unë mandatin tim do ta digjia sepse do tregoja që ne ishim njësh me opozitën.

Blendi Fevziu: A keni gabuar?

Monika Kryemadhi: Kur e mendoj tani, e kam menduar që kam gabuar sepse është vendosur Ilir Meta me shpatulla pas muri si President, por të gjithë këta që qajnë sot për mandatet që paskan bërë gabim, nuk kontribuuan një gjilpërë për Ilir Metën për ta nxjerrë nga situata, sepse tani është shumë e kollajshme për të bërë moral, por djegia e mandateve sot solli këtë situatë që kemi. Kemi një sistem drejtësie i cili menaxhohet dhe është kthyer në një instrument të qeverisjes.

Blendi Fevziu: I dhatë Ramës çdo gjë në tavolinë. Një ëndërr që as ai nuk e besonte se ishte kaq e bukur.

Monika Kryemadhi: Patjetër. Por ndonjëherë makutëria e madhe edhe të dëmton më shumë se ç’duhet.

/tvklan.al