Për Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela, bërja e një Kodi të ri Penal nuk është e domosdoshme.

Teksa raportoi përballë Këshillit të Lartë të Prokurorisë mbi punën 1-vjeçare, Çela tha se sfidat e drejtësisë aktualisht janë të tjera dhe se për një Kod Penal do të duhet të punohet me vite.

Olsian Çela: Për Kodin e ri Penal vende të huaja punojnë me vite deri në unifikimin e tij. Në kushtet ku jemi sot, sistemi ka probleme të tjera që do të duhet të marrin zgjidhje…

Gjatë 2023 në të gjitha prokuroritë në vend ka një trend ulës të hetimeve të nisura, por kjo jo për shkak të uljes së kriminalitetit.

Olsian Çela: Në këtë ulje ka patur ndikim edhe Memorandumi i Bashkëpunimit me Policinë e Shtetit dhe udhëzimi mbi zbatimin e nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale dhe trajtimin e referimeve të tjera që dukshëm nuk përmbajnë elementë të ndonjë vepre penale, në bazë të të cilave për vitin 2023 rezultojnë 4588 materiale.

Marrëveshja e cituar nga Kryeprokurori është bërë me qëllim uljen e ngarkesës, teksa prokuroritë ende vijojnë të kenë vakanca shqetësuese.

Olsian Çela: -177  prokurorë në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ose 101 prokurorë më pak krahasuar me numrin organik, 10 prokurorë në prokurorinë pranë Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ose 16 prokuror më pak krahasuar me numrin organik dhe 11 prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme ose 6 prokurorë më pak se numri organik.

I pyetur nga gazetarët për sulmet ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, Çela  tha se atyre ju përgjigj KLP me deklaratën e bërë.

Tv Klan