Zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka inspektuar në Velipojë njësitë hoteliere për sigurinë që ofrojnë në përdorimin e pajisjeve të gazit dhe certifikimin e sistemit elektrik.

E shoqëruar nga specialistët e Inspektoriatit Shtetëror Teknik Industrial, Balluku tha se grupet e inspektimit duhet të ushtrojnë kontroll të imtësishëm si dhe t’u tregojnë subjekteve dokumentacionet e nevojshme që duhet të plotësojnë.

“Kemi nisur një inspektim të zgjeruar, mbi 650 njësi. Problematikën e kemi pak procedurale dhe tek letrat.”

Teksa theksoi nevojën e kushtet e sigurisë brenda standardeve, Balluku u shpreh se nuk do të ketë gjoba për ato biznese që ende janë të paqartë të kushteve që duhet të plotësojnë.

“Ne nuk kemi në plan që të vendosim gjoba, vetëm në raste kur pajisjet nën presion janë në kushte të pasigurta.”

Inspektimet në njësitë hoteliere kanë nisur për të ofruar siguri në shërbim dhe pritet të përfunojë para nisjes së sezonit turistik.

Klan News