Mazhoranca i ka dhënë opozitës 5 ditë kohë

Kuvendi i Shqipërisë i ka dhënë kohë forcave politike që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, para se të shkojnë në seancë plenare.

Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Kuvendi bën të ditur se me kërkesë të kryetarëve të grupeve parlamentare opozitare është vendosur shtyrja e seancës plenare të ditës së enjte ku ishte parashikuar të miratoheshin këto ndryshime.

“Me porosi të Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, për t’u lënë kohë të mjaftueshme grupeve parlamentare për dialog lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor si dhe komisionit përgjegjës për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për shqyrtimin e tyre, seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, do të zhvillohet ditën e hënë”, bën të ditur Kuvendi.

Ky vendim vjen pas deklaratave të faktorit ndërkombëtar i cili kërkoi nga palët respektimin e frymës konsensuale të marrëveshjes së 5 Qershorit.

Tv Klan