Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 5 grabitësit e arrestuar dy ditë më parë, si autorë të dyshuar të disa grabitjeve të ndodhura në kryeqytet.

Dorjan Lamani (Qirjazi), Klodian Çypi, Halil Topalli, Redian Begaj, Dajvid Dosti u ndaluan pas grabitjes së një shumë të konsiderueshme eurosh, bizhuterish dhe sendesh të tjera me vlerë.

Sipas policisë banesat piketoheshin disa ditë më parë. Ata siguronin informacione se brenda shtëpisë kishte shuma parash dhe bizhuteri, dhe më pas organizonin e kryenin vjedhjen.

Anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal, të konsideruar nga policia si tejet të rrezikshëm, janë me precedentë të theksuar kriminalë. Ata dyshohen të ketë kryer veprimtari kriminale edhe në disa vende të BE-së.

Ndërkohë gazetarja e Klan News, Glidona Daci solli më shumë detaje nga seanca e zhvilluar këtë të enjte.

“Në gjykatë pala mbrojtëse, të paktën për 4 të pandehurit e kanë vlerësuar si të ligjshëm në flagrancë, ndërsa sa i përket masës së sigurisë ia kanë lënë në çmim gjykatës. I vetmi që ka pasur kundërshtime dhe ka bërë një mbrojtje të detajuar në këtë seancë ka qenë avokati i Redjan Begajt, për të cilin ka kërkuar që të specifikohet roli që ka pasur klienti i tij në këtë grabitje. Sipas tij arrestimi nuk është i ligjshëm duke qenë se klienti i tij është ndaluar në trotuar dhe nuk ka pasur lidhje të paktën me grabitjen e dy ditëve më parë. Sipas avokatit, Begaj ka pasur kontakte vetëm me Dorjan Lamanin, po nuk ka folur në asnjë moment për çështje grabitjesh apo çështje të tjera. Por këto pretendime u rrëzuan nga gjykata, që vendosi t’i lerë të gjithë në qeli”.

Sipas gazetares, Prokuroria e kryeqytet kishte dyshime që këta 5 persona do të grabisnin edhe një exhange dhe se kishin hartuar edhe planin sesi do të kryhej grabitja. Gjithashtu prokuroria thotë se ka indicie që 5 të arrestuarit do të kryenin edhe një tjetër grabitje të një video luksoze. Prokuroria ka dyshime që këta persona kanë vepruar edhe më herët në grabitje të tjera./tvklan.al