Opozita maqedonase ka vendosur që ta bojkotojë Kuvendin e Maqedonisë derisa Gjykata Kushtetuese të mos e shqyrtojë një nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për themelimin e Prokurorisë speciale.

Lidhja Social Demokrate vlerëson se Gjykata qëllimisht tani e tetë muaj po zvarrit nismën e një partie minore për shuarjen e prokurorisë që të mbajë peng punën e saj, apo vendimin ta marrë varësisht akuzave që mund të ngrihen ndaj zyrtarëve të lartë të VMRO-së në pushtet.

“Gjykata kushtetuese menjëherë të deklarohet për kushtetutshmërinë e Prokurorisë speciale. Derisa Gjykata të mos deklarohet, deputetët e LSDM-së dhe të partive tjera të koalicionit nuk do të marrin pjesë në punimet e Kuvendit

”, ka deklaruar lideri I LSDM-së, Zoran Zaev.

Vendimi për bojkotin e punimeve të Kuvendit vjen një ditë pasi kjo u kërkua nga drejtuesit e “revolucionit shumëngjyrësh”, ku u paraqiten edhe kërkesa tjera për kapërcimin e krizës, raporton Radio Evropa e Lirë.

Prokuroria speciale ka nisur hetimet për 56 zyrtarë të lartë të dyshuar për vepra të rënda penale, mashtrime zgjedhore, kurdisje të proceseve gjyqësore, presione ndaj mediave, krime financiare dhe shpërdorime tjera që kanë dalë nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve. Në mesin e të dyshuarve janë edhe ish kryeministri, Nikolla Gruevski, dy ish ministra si dhe ish drejtori i policisë sekrete./tvklan.al