Duhet të largohet nga vendi brenda 7 ditëve

Ministria e Punëve të Jashtme, në pajtim me nenin 9 nga Konventa e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, vendosi të shpall një diplomat të Ambasadës së Federatës Ruse si person të padëshiruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në këtë drejtim, më 14 Maj 2021, në hapësirat e Ministrisë së Punëve të Jashtme është thirrur Ambasadori i Federatës Ruse, me këtë rast i është dorëzuar Notë me të cilën kërkohet që diplomati i apostrofuar të lëshojë territorin e Maqedonisë së Veriut në afat prej shtatë ditësh.

Presidenti Stevo Pendarovski, i pyetur të komentojë këtë rast, ka theksuar se i njëjti është dokumentuar dhe se nuk bëhet fjalë për improvizime.

“Gjërat e këtilla gjithmonë janë senzitive për t`u sqaruar rreth shkaqeve. Para disa ditëve, sikurse gjithë kompetentët edhe unë jam i njoftuar. Sikurse pashë, rasti ishte dokumentuar nga ana e shërbimeve kompetente dhe nuk bëhej fjalë për improvizime dhe për shkak të natyrës së cështjes, nuk mund ta komentoj më shumë”.

Kryediplomati Bujar Osmani edhe më herët në disa raste ishte renditur krahë partnerit strategjik, SHBA-së dhe BE-së, sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë. Ky dëbim vjen në moment kur flitet shumë për ndikimin rus në rajon.

Maqedonia e Veriut pati marrë masa edhe në vitin 2018 ndaj një “diplomati”, menjëherë pas skandalit të helmimit të Skripalit në Britaninë e Madhe, megjithatë, ky vendim ishte marrë në solidaritet me Britaninë e Madhe, SHBA-në dhe BE-në.

Tv Klan