Venecia ka zbuluar detajet për tarifën e hyrjes në qytet, duke e bërë atë qytetin e parë në botë që tarifon vizitorët ditorë. Nga 25 prilli , vizitorët në qytetin italian do të duhet të paguajnë 5 Euro për të hyrë në ditët e pikut. Autoritetet kanë vendosur që të shpërndajnë ditët me pagesë përgjatë vitit dhe jo gjatë një muaji të tërë kalendarik, duke zgjedhur ditët që parashikohen të jenë më të ngarkuara, për shembull fundjavat e festave dhe periudhat e pikut të karnavaleve.

Të gjithë udhëtarët në Venecia do të duhet të regjistrojnë vizitën e tyre paraprakisht dhe të marrin një kod në internet. Udhëtarët ditorë do të duhet të paguajnë tarifën ndërsa vizitorët që qëndrojnë gjatë natës nuk do të detyrohen ta paguajnë këtë tarifë.

Për studiuesit, Venecia është shembull I turizmit masiv dhe janë banorët ata që po vuajnë nga pasojat.

Gjatë vitit të kaluar, UNESCO tha se qyteti duhet të shtohet në listën e vendeve të Trashëgimisë Botërore në rrezik, pasi ndikimi i ndryshimeve klimatike dhe turizmi masiv kërcënojnë të shkaktojnë ndryshime të pakthyeshme për qytetin ikonë të turizmit italian.

Kryetari i qytetit të Venecias Luigi Brugnaro shpjegon se pse është kaq e rëndësishme kjo nismë.

“Turizmi nuk është thjesht një ide e njerëzve që ecin përreth, që duket si diçka e kotë, duke bërë fotografi, por ata janë njerëz në kërkim të diçkaje. Mund të jetë turizëm fetar, mund të jetë turizëm kërkimor ose turizëm historik. Mund të jetë thjesht për qëllime romantike për të kaluar ditë të bukura me të dashurin.

Por qyteti ka lindur pikërisht për të tërhequr si lulja që tërheq bletën, për të bërë ekonomi, për të bërë diplomaci, për të bërë tregti. Bukuria nuk është qëllim ne vetvete. Jo vetëm në Venecia , por Venecia është shembull, prandaj duhet t’i ruajmë këto qendra të mëdha historike të botës”.

Edhe pse politika e re u shpall në shtator, qyteti nuk kishte dhënë detaje se si do të zbatohej, duke shkaktuar spekulime se qyteti mund të vendoste rrotulla apo masa të tjera drastike.

Përjashtimet për tarifën ekzistojnë për vendasit, udhëtarët dhe ata me shtëpi të dyta në qytet, të cilët kanë paguar taksën lokale të pronës, si dhe për turistët që qëndrojnë gjatë natës në qytet dhe ata që marrin pjesë në ngjarje sportive. Tarifa e vendosur është më pak nga ajo që ishte propozuar më përpara, pasi që nga viti 2019, autoritetet e qytetit kishin diskutuar për një tarifë që do të shkonte deri në 10 Euro për vizitorët e qytetit.

Klan News