Vendimi i Presidentit të Republikës Ilir Meta ka gjetur pasqyrim në disa media ndërkombëtare, të cilat më herët kanë raportuar edhe për protestat e opozitës. “Presidenti Meta ka anuluar zgjedhjet lokale pas muajsh të tërë protestash anti-qeveritare”, shkruan BBC në edicionin e saj online.

Rrjeti informativ britanik citon kreun e shtetit shqiptar që ka deklaruar se situata politike në Shqipëri nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve të ndershme më 30 Qershor. Më pas “BBC” raporton edhe për protestat e mbajtura ditën e shtunë, duke vënë në dukje se disa manifestues hodhën shashka dhe fishekzjarrë jashtë selisë së Parlamentit.

Edhe televizioni francez “France 24” ka cituar po ashtu Presidentin Meta të thotë se, “rrethanat aktuale nuk ofrojnë kushtet e duhura për zgjedhje të ndershme, demokratike dhe gjithëpërfshirëse më 30 Qershor”. “Edhe France 24” ka shkruar gjithashtu për protestat që mbahen prej muajsh në kryeqytetin shqiptar, me opozitën që akuzon qeverinë për lidhje me krimin. Ndërkohë, raportimi i agjencisë së lajmeve “Associated Press” ka shërbyer si pikë referimi për portale të ndryshme lajmesh në Shtetet e Bashkuara.

Portali i njohur Yahoo.com, përveç se ka cituar motivet e vendimit të kreut të shtetit, ka shtuar edhe se ai do të japë sqarime të mëtejshme ditën e hënë. Lajmi është postuar edhe nga “Boston News”, që e vë theksin tek motivi i kreut të shtetit, për të ulur tensionet politike që kanë përfshirë vendin./ABC News Albania 24/7