Ylli argjentinas shprehet se rivaliteti mes dy futbollistëve tashmë është pjesë e historisë

Ylli i PSG-së Lionel Messi ka vlerësuar rivalin e tij Cristiano Ronaldo  për faktin se është përshtatur shumë mirë pas rikthimit te Manchester United, pavarësisht se klubi anglez nuk po kalon një formë të mirë.

Portugezi ka qenë vendimtar për “Djajtë e kuq” në ndeshje të rëndësishme dhe falë tij skuadra ka marrë 7 pikë në Ligën e Kampioneve.

Në total, portugezi ka shënuar 9 gola me United. Ndërsa “Pleshti” ka realizuar 3 gola në Champions dhe 1 në Ligue 1, që erdhi të shtunën e kaluar kundër Nantës.

“United është një skuadër shumë e fortë me lojtarë të mëdhenj. Cristiano e njihte klubin, por është një fazë tjetër dhe tani është pështatur në një mënyrë të jashtëzakonshme. Ka shënuar gola që nga nisja si gjithnjë dhe nuk ka pasur problem përshtatjen. Premier Liga është mjaft e vështirë dhe në këtë kampionat ka shumë të papritura. Pas Dhjetorit  gjithçka mund të ndodhë”.

Sa i përket rivalitetit mes të dyve, ylli argjentinas thotë se duelet mes tyre tashmë janë histori. Messi tha se kjo ka qenë një fazë mjaft e bukur si për lojtarët, ashtu edhe për njerëzit të cilët e shijuan në maksimum, por që tani ngelet një kujtim i bukur.

Klan News