Një mësuese nga Tajvani, e njohur si Kang Nu, arriti që të shpëtonte nga ndërtesa ku ajo jetonte përmes një dere anësore kur banesa nisi të shembej si pasojë e tërmetit, por dyshohet se u kthye për të shpëtuar macen e saj, ku fatkeqësisht gjeti vdekjen.

Lajmin e ka bërë të ditur media lokale “Set News” ku thuhet se ndërtesa 10-katëshe ku banonte mësuesja u anua në një kënd 45 gradë, duke bllokuar shumë njerëz brenda saj. Vetëm 13 minuta pasi u arratis nga ndërtesa, Kang Nu, u kthye në rrënoja në kërkim të maces së saj.

Ajo nuk u kthye më nga ndërtesa pasi ajo vazhdoi të shembet më tej. Ekipi i shpëtimit kërkoi për Kang Nu dhe pak çaste më vonë ata bënë zbulimin tragjik: Ajo ishte bllokuar nën rrënojat e ndërtesës.

“The Mirror” raporton se ajo ka vdekur në vendngjarje. Punonjësit e urgjencës vazhdojnë të kërkojnë me dëshpërim nëpër rrënoja për të mbijetuar, me lëkundjet që shembën disa ndërtesa dhe rrugë të ndara në dysh.

Më shumë se 87,000 shtëpi në të gjithë vendin kanë mbetur pa energji elektrike, ku shumë prej tyre kanë pësuar dëme të rënda. Tajvani u godit nga tërmeti më i fuqishëm me magnitudë 7.2  në 25 vjet në orët e para të mëngjesit të së mërkurës duke marrë jetën e 9 personave, duke plagosur më shumë se 800 dhe duke bllokuar 127 të tjerë. /tvklan.al