Presidenti Ilir Meta ka propozuar emrin e Arben Shehut në pozicionin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Sipas Presidentit, Shehu plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë pozicion, si dhe është një kandidaturë me eksperiencë të gjatë në fushën e së drejtës dhe pedagogjisë.

“Gjatë eksperiencës mbi 16 vjeçare në jetën akademike, Dr. Arben Shehu është një ndër njohësit më të mirë të drejtësisë penale. Z.Shehu është diplomuar gjithashtu edhe në fushën e e ekonomisë dega “Administrim Biznesi”, me një eksperiencë të gjatë akademike, kërkime dhe shkrime shkencore, por edhe përvojë të spikatur në zbatimin e ligjit, si ushtrues aktiv i profesionit të avokatisë.

Dr. Arben Shehu, si njohës shumë i mirë i legjislacionit, me njohuritë dhe certifikimet në fushën ekonomike dhe përvojën akademike e profesionale mbi 16 vjeçare, vlerësohet kandidat i përshtatshëm për drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si një institucion që ka nevojë për një qasje të re në ushtrimin e funksioneve për kontrollin e përdorimit të pasurisë publike dhe vënien para përgjegjësisë të abuzuesve me to”, thuhet në shkeësën zyrtare drejtuar Kuvendit të Shqipërisë.

Presidenti Meta shprehet se pavarësisht se ka lexuar me shumë vëmendje e në mënyrë të përsëritur sugjerimet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë lidhur me profilin profesional që duhet të ketë kandidati për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, deri më tani është vënë para pozitës së rrëzimit të propozimeve për tre kanditaruave radhazi, pavarësisht përmbushjes së kritereve ligjore dhe përvojës së gjerë profesionale të secilës prej kandidaturave.

“Mos plotësimi i pozicionit të Drejtuesit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rrezikon të çojë në cenim të ekuilibrit institucional të këtij organi kushtetues me përgjegjësi jetësore për financat publike. Veçanërisht kur bëhet fjalë për institucionin kushtetues më të lartë të kontrollit ekonomik dhe financiar, secili institucion që ka atributet e tij në procesin e zgjedhjes së drejtuesit të këtij institucioni, ka përgjegjësinë që të përmbushë detyrën në respektim të Kushtetutës”.

/tvklan.al .