Nga BDI kanë akuzuar VMRO-në se nuk ka ndryshuar dhe as që do të ndryshojë.

“VMRO-DPMNE nuk ka ndryshuar dhe nuk dëshiron të ndryshojë. Përkundrazi, po thellon ndasitë etnike. Së fundmi, duke aluduar në përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve, Mickoski akuzon se “lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, e ka shtetin në pjatë dhe se 100 veta nga BDI vendosin për 2 milionë njerëz. Me këto akuza, Mickoski tregon se Maqedoninë e Veriut e sheh si shtet vetëm të maqedonasve, ndërsa shqiptarët hyzmeqarë të tij”, thuhet në një reagim të BDI.

Në reagim, Fronti Europian i bën me dije “Mickoskit dhe derivateve të tij se Maqedonia e Veriut është shtet i përbashkët i të gjithëve, pa dallim etnie dhe kështu do të jetë edhe pas 24 prillit dhe 8 majit, kur Fronti Europian do të shënojë fitoren e thellë ndaj partnerëve të Mickoskit dhe atyre që janë rreshtuar me Moskën e Rusisë”.

“Shqiptarët kanë dëshmuar se dinë të udhëheqin më së miri shtetin, ndërsa kjo po dëshmohet me Kryeministrin Talat Xhaferi dhe kryediplomatin dr. Bujar Osmani, njëherësh Presidenti i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut”, thuhet më tej në deklaratën e BDI-së. /tvklan.mk