Presioni i derbit të Milanos që do të luhet mbrëmjen e sotme bie pothuajse tërësisht mbi supet e skuadrës së Stefano Piolit. Kuqezinjtë kanë gjithçka për të humbur.

Një fitore do të përfaqësonte një ngushëllim të vogël për një fund zhgënjyes të sezonit, por një humbje e Milan do t’i lejonte Interit të festonte matematikisht Scudetton përballë rivalëve dhe do t’i shtonte Milanit dëshirën për të harruar këtë kampionat.

Pesë derbit e fundit, të gjitha të luajtura gjatë vitit 2023, kanë parë triumfin e Interit. Në historinë e derbit milanez, asnjë ekip nuk ka arritur të fitojë gjashtë ndeshje radhazi, një tjetër arsye që një sukses për zikaltrit do të shndërrohej në një makth për Milanin. Në katërmbëdhjetë ndeshje në stolin e Milanit, Pioli ka marrë tre fitore, dy barazime dhe nëntë humbje.

Qasja ka qenë shpesh e gabuar. Në çdo rast, rezultati i ndeshjes së sotme nuk do të ndryshojë fatin e trajnerit të kuqezinjve, i cili tashmë duket i shënuar dhe larg Milanit.

Nga ana tjetër, Interi ka shansin të bëhet legjendar duke fituar titullin e 20-të në sfidën kundër rivalëve të qytetit, por një humbje e mundshme nuk do të kishte pasoja negative dhe vetëm do ta vononte me disa ditë atë që tashmë është e sigurt. Entuziazmi i tifozëve zikaltër është i lartë.

“Nëse fiton në shtëpinë e armikut, bëhesh legjendë”, ishte mesazhi i ultrasve.

Atmosfera tek Inter është e shkëlqyer. Trajneri Inzaghi dhe disa lojtarë janë pranë rinovimit dhe derbi shihet si një mundësi më shumë për të shkruar histori.

Tv Klan