“Taulanti nxënës i shkëlqyer në matematikë, besoja se do të bëhej shkëncëtar

Në ditën e veçantë të 7 Marsit, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla surprizoi me anë të një videomesazhi mësuesen e tij të Matematikës, Veronika Cfarku, e cila ishte e ftuar mëngjesin e kësaj të enjteje në studion e Klan News.

“Zyshë Veronika mirëmëngjes. Të uroj nga zemra gëzuar 7 Marsin, paç jetën e gjatë dhe shumë faleminderit dhe shumë mirënjohje për gjithë mundin tënd, për të na dhënë dije dhe për të na përgatitur të fortë, edhe në jetën tonë të përditshme. Sepse ti për ne nuk ke qenë vetëm mësuesja e Matematikës, dhe ne të dy kemi qenë shumë të lidhur me njëri-tjetrin për shkak se dhe mua më pëlqente shumë lënda jote. Por na ke mësuar që të ecim të fortë edhe në karrierën tonë, në profesionin tonë, kështu që jo vetëm në emrin tim, por në emrin e të gjithë shokëve dhe shoqeve të klasës sonë dua të të uroj sot, Gëzuar 7 Marsin dhe shumë faleminderit dhe shumë mirënjohje.”

Vetë mësuesja e ministrit u befasua dhe u emocionua njëkohësisht nga ky urim.

“Shumë-shumë-shumë faleminderit, tepër e emocionuar, kjo është dhurata më e bukur që më bëhet në jetë. Nuk e prisja sepse kam kohë që nuk kam komunikuar me Taulantin edhe pse e ruaj atë foto të kohës së gjimnazit. Ishte nxënës i shkëlqyer.”

Mësuese Veronika tregon se a e kishte spikatur që nxënësi i saj do të kishte një karrierë të suksesshme në jetë dhe në politikë.

“Jo e politikës, pak nuhatje sepse ishte i ri, ishe aktiv, por ishte aktiv në shumë talente jashtë mësimit. E aktivizoja në olimpiadat e Matematikës, i bëja mësime të veçanta në atë kohë, doja që ai të shkëlqente, të zgjidhte shkencat kompjuterike, besoja që do bëhej një shkencëtar shumë i mirë në atë fushë.”

Në fund me rastin e 7 Marsit, mësuese Veronika Cfarku pati edhe këtë mesazh për të gjithë nxënësit.

“Për ato që ka edhe nxënës që nuk e kanë atë prirjen, por prap duhet të këmbëngulësh të fitosh minimumin mos kërko maksimumin për të, por minimum do ta marri. Të rritet çdo ditë nga një çikë.”

Klan News