Një ditë pasi hodhi kritika të rënda ndaj kryeministrit, Albin Kurti, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor arriti në Prishtinë ku takoi presidenten Vjosa Osmani. Kjo e fundit, paraprakisht kishte pritur në zyrën e saj kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca për të harmonizuar qëndrimet.

Gjatë takimit dyorësh që Escobar zhvilloi me presidenten, kryeministri Albin Kurti mblodhi kabinetin qeveritar ku kërkoi nga Agjencia Kadastrale të zbatoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, e cila ia njeh pronat 24 hektarëshe Manastirit të Deçanit.

Alin Kurti: Të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të na mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Emisari i SHBA-së, pas takimit me Osmanin ka përshëndetur vendimin e Qeverisë, e presidenten e quajti garantuese kryesore të raporteve Kosovë-SHBA.

Escobar: Është shumë i rëndësishëm vendimi i sotëm për Manastirin, ishte i vështirë, por i domosdoshëm. Kemi shumë për të diskutuar për sfidat, përfshirë edhe vendimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, për të gjetur mënyra për të ecur para me dialogun. Këtu përfshihet edhe Asociacioni, por jo vetëm.

Escobar, më pas në ambasadën amerikane në Prishtinë ka pritur përfaqësuesit serbë të shoqërisë civile, në mbrëmje pritet të takohet edhe me krerët e partive parlamentare opozitare.

Tv Klan